Bota

Ish-lojtari i futbollit amerikan vret 5 persona në ShBA, 4 nga një familje

Phillip Adams, 32 vjeç, ish-lojtar i futbollit amerikan në ligën kombëtare të ShBA-së, qëlloi për vdekje një mjek dhe katër persona të tjerë.

Komandanti i policisë lokale, Kevin Tolson, tha se Adams qëlloi dy punëtorë të aparateve për klima, duke e lënë të vrarë njërin, pastaj vazhdoi për te shtëpia e mjekut Robert Lesslie.

Mjeku, bashkëshortja e tij, Barbara Lesslie, dhe dy nipërit, të moshës pesë dhe nëntëvjeçare, u qëlluan për vdekje nga sulmuesi, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi më pas u gjet i vdekur me një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri në dhomën e gjumit të një shtëpie rreth një kilometër larg, të cilën e ndante me prindërit.

Dr. Robert Lesslie, mjeku që u vra nga sulmuesi

Hetuesit policorë ende nuk e dinte motivin e sulmuesit, ndonëse besojnë se ishte vetëm një autor. “Ne ndoshta kemi më shumë pyetje sesa ju”, tha komandanti i policisë para gazetarëve të enjten.

I pyetur nëse Adams ka qenë ndonjëherë pacient i mjekut që e vrau, zyrtari policor tha se ende nuk është vërtetuar një gjë e tillë.

Babai i sulmuesi, Alonzo Adams, tha të enjten se vite më parë ka qenë pacient i mjekut të vrarë. Sipas tij, i biri ishte i qetë dhe fëmijë i mirë, por beson se në sjelljen e tij kishte ndikuar futbolli amerikan.