Kosovë

IPK rekomandon suspendimin e policit i cili arrestoi Faik Fazliun

Për rastin e arrestimit të Faik Fazliut, IPK ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor dhe është duke hetuar të njëjtin me dyshimin se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”

Inspektorati Policor i Kosovës ditë më parë ka pranuar ankesën e Faik Fazliut bashkangjitur me raportin mjekësor, lidhur me pretendimet e tij ndaj zyrtarit policor dhe eprorit të policisë së Prizrenit, në ditën kur u arrestua në një lokal në Prizren.

Ish-kreu i OVL UÇK-së, Faik Fazliu, ka mohuar se ka kanosur zyrtarin policor, madje thotë se as nuk e ka shikuar. Ai shprehet i habitur se pse u arrestua. Gjithashtu thotë se është kërcënuar tri herë nga eprori i Policisë në Prizren me fjalët “çka hamomi po lyp në Prizren”, teksa ndodhej në stacionin policor.

Faik Fazliu, është shprehur i habitur me arrestimin e tij, teksa thotë se zyrtari policor është sjellur në mënyrë tendencioze me të.

Faktikisht as vetë nuk di me shpjegu sesi ka ardhë deri te arrestimi, sepse absolutisht unë as fjalën më të vogël e as rastin më të vogël nuk ia kam jap zyrtarit policor që të sillet në atë mënyrë me mua. Kështu që e di se ai në mënyrë tendencioze është sjellë në atë mënyrë me mua, këtë e di. Këtë ja kam shpjegu edhe hetuesve edhe sigurisht e dinë sepse i kanë parë edhe video-incizimet, edhe prokuoria e ka pa që unë absolutisht s’kam pas të bëjë as me ndonjë kanosje as asgjë të tillë ndaj zyrtarit policor”, ka pohuar ai.

Arrestimi i tij kaloi edhe në rrafshin e ofendimeve, pas reagimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyhen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga siç i ka quajtur ai “të fortët”.

Më pas, Anëtari i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faik Fazliu e ka quajtur rrugaç dhe legen ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.