Lajme

IPK rekomandon suspendim të dy komandantëve të policisë

Hetuesit e Departamentit të Hetimeve të Inspekt

Hetuesit e Departamentit të Hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës, kanë rekomanduar suspendimin e dy komandantëve të policisë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton Insajderi.

Siç bëhet e ditur nga IPK, hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar ditë më parë, kur hetuesit e këtij inspektorati kishin pranuar informacione se dy zyrtarë policorë (komandanti i stacionit të Prizrenit me gradën e majorit dhe komandanti i nën stacionit policor të Zhurit me gradën e rreshterit) kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik me ç’rast dyshohet se janë ndryshuar neni dhe paragrafi, pastaj është ndryshuar vlera e gjobës.

“Dyshimet janë se gjatë ndërhyrjes së paautorizuar janë larguar edhe pikët negative të shqiptuara si dhe është revokuar ndalesa për vozitje dhe konfiskimi i patentë shoferit”, thuhet në njoftimin për media të IPK-së.

Tutje njoftohet se hetuesit në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast./Insajderi.com