Kosovë

Institutit për dokumentimin e krimeve nga Serbia, Qeveria Kurti pret që deri në shtator të përfundojë raporti nga grupi punues

Dje Qeveria Kurti ka mbajtur takimin e parë me grupin punues për krijimin e një instituti për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Deri në muajin shtator pritet që nga ky grup të krijohet një raport për mënyrën e funksionimit të tij. Një Institut i tillë ishte krijuar në vitin 2011. Nga MD-ja po thonë se me këtë iniciativë janë duke synuar krijimin e memories institucionale

Qeveria e Kosovës ka marrë iniciativë për ri-themelimin e Institutit për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, përfshirë këtu edhe krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Zyrtarët e qeverisë theksojnë që Instituti do të shërbejë për krijimin e dosjes, që do t’i shërbejë kujtesës kolektive, teksa punimet e grupit punues pritet të përfundojnë deri në shtator të këtij viti.

Nga Zyra për Komunikim me Publikun në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, i kanë thënë Gazetës se deri më tani është realizuar vetëm një takim i grupit punues.

Ministrja e Drejtësisë ka themeluar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky grup punues ka mbajtur takimin e parë me 7 qershor 2021. Punimet e grupit punues pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.

Nga kjo Zyrë poashtu deklaruan se iniciativa për themelimin e këtij Instituti është bërë me qëllim të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim të krijimit të memories institucionale.

“Ministria e Drejtësisë ka marrë iniciativë për themelimin e një mekanizmi/instituti në Kosovë me qëllim të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës të cilat do të i kontribuojnë memories sonë kolektive. Dokumentimi është bërë deri tash vetëm nga organizatat jo-qeveritare dhe qytetarë të vullnetit të mirë. Kosova duhet të krijojë memorie institucionale. Misioni dhe fushëveprimi i institutit do të definohet nga rekomandimet të cilat do të dalin me hartimin e koncept-dokumentit që do të jetë rezultat i punës së grupit punues”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Në ndërkohë ishte kryeministri Albin Kurti, ai i cili të hënën tha se adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës është larg prej asaj që duhet të jetë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm që adresimi i krimeve të kryera në Kosovë është shumë larg prej asaj që ne duam e neve na duhet. Askush nuk duhet të pretendojë që lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 22 vite. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. Kjo është situata, në të cilën ne ndodhemi, por të cilën kemi mundësi ta ndryshojmë dhe mbajmë përgjegjësi të lartë. Njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjeneratat po vdesin besa përditë dhe kështu po humbet kujtesa primare e luftës. Ky është një rrezik i madh që na kanoset e nuk guxojmë të lejojmë të na ndodhë. Duhet të sigurohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi, e të adresojmë gjithë atë sa ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë kryeministri Kurti, gjatë takimit me Grupin Punues të Institutit.

Njësojë, u shpreh edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo shprehu bindjen se  në të gjitha rastet, iniciativat e dokumentimit të krimeve të luftës kanë luajtur një rol kritik në ruajtjen e dëshmive për abuzimet me të drejtat e njeriut, duke nxitur kështu vullnetin politik për të sjellur drejtësi, dhe duke ndihmuar njerëzit dhe popujt të kujtojnë historinë e tyre.

“Dokumentimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut në të kaluarën ka ndihmuar në krijimin e kujtesës kolektive, në ndjekjen penale të autorëve të krimit, në identifikimin e viktimave për të kërkuar reparacione, në planifikimi më të saktë e të drejtë të memorialëve, në rishkrimin e teksteve shkollore, dhe për më tepër, ka kontribuar në krijimin e një kulture të re, ku të drejtat e njeriut respektohen”- shtoi Ministrja.

Për çështjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, para dy muajsh është deklaruar edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq.

Ajo në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka folur për premtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për padi për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kandiq e ka quajtur nismë politike premtimin e liderit të Vetëvendosjes dhe ka potencuar se si të tillë s’mund as ta përkrahë, meqë thotë se ajo ide nuk i kontribuon sundimit të ligjit dhe drejtësisë për viktimat.

“S’ka asnjë shans që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë vendim që Serbia është përgjegjëse për gjenocid në Kosovë. Qeveria e re e Kosovës duhet ta raportojë në Bashkim Evropian dhe Kombe të Bashkuara se si Serbia nuk po i ndëshkon përgjegjësit brenda Ushtrisë Jugosllave dhe oficerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vrasjen e rreth 7 mijë civilëve shqiptarë, dhe t’iu tregojë atyre (BE’së dhe Kombeve të Bashkuara) se Serbia i trajton ata si heronj, dhe do ta ketë përkrahjen e shoqërisë civile të Serbisë, veçanërisht të Qendrës për të Drejtën Humanitare. Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në Jugosllavi ka dhënë mijëra prova kundër oficerëve të Ushtrisë Jugosllave të MPB-së së Serbisë, të cilat janë injoruar plotësisht nga Prokuroria Serbe. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë që Bashkimi Evropian, siç mbështet punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duhet të reagojë fuqishëm ndaj faktit se Serbia nuk po i përmbush detyrimet e saj ndërkombëtare kur bëhet fjalë për krimet e kryera kundër Kosovës. S’ka pasur aktakuza të reja për krimet në Kosovë për një kohë të gjatë. Qeveria e Kosovës mund të gjejë mbështetje të fuqishme për këtë çështje. Por jo për ide politike, siç është kjo e padisë për gjenocid. Një çështje tjetër shumë e rëndësishme janë të zhdukurit, por në mesin e të zhdukurve (1642) ka edhe shqiptarë për zhdukjen e të cilëve janë përgjegjës UÇK’ja. Sido që të jetë, ka një numër të madh të zhdukjeve në grupe, siç janë zhdukjet e 30 burrave në Beleg, 50 nga Kralani, 15 të tjera nga Meja, së paku 25 nga Deçani, Krusha e Vogël dhe Rahoveci- për të cilët janë përgjegjës Ushtria Jugosllave dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë”, ka thënë ajo për Express.

E një institut i ngjashëm në Kosovë, sikurse ai që po tenton ta themelojë Kurti, ishte themeluar në vitin 2011, pra, 12 vjet pas luftës.

Por, me vendimin e Qeverisë së Kosovës, ai është mbyllur në vitin 2018, ndërkohë që në Ministrinë e Drejtësisë është formuar Divizioni për Drejtësi Tranzicionale, i cili është dashur të vazhdojë punën e institutit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13.500 persona, 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civil.

Edhe më tej është duke u hulumtuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur.