Kosovë Shëndetësi

Infermieri që është në grevë urie që 8 ditë

Sekretari i Sindikatës së Infermierëve ka 8 ditë që ka hyrë në grevë urie, kërkon plotësimin e kërkesave nga Qeveria

Sapo ka përfunduar ndërrimin.

Ani pse ka 8 ditë që nuk ka ngrënë bukë, sekretari i Sindikatës së Infermierëve, Enlirat Duraku nuk e ka ndalur punën.

Ai po vazhdon t’iu shërbejë pacientëve të prekur me Covid 19.

Por, për më shumë se një javë, Duraku ka mbajtur grevë urie, e për këtë ai ka një arsye.

Gjatë grevës së urisë, infermieri thotë se i janë shfaqur probleme shëndetësore.

Madje, gjatë ndërrimit të punës mbrëmjen e së martës, i është dashur edhe intervenimi i ekipit të emergjencës.

Pas kësaj, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj është interesuar për gjendjen e tij.

Duraku që tashmë është kryeinfermier në klinikën që trajton pacientët me Covid19  thotë pagesa për ndërrimet e natës për infermierë prej 18 eurosh është e turpshme.

Për këto pakënaqësi të Durakut e kolegëve të tij infermierë, Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe u.d. e drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Pas këtij takimi, infermierët paralajmëruan veprime sindikale në rast të mos realizimit të kërkesave të tyre.

Këta të fundit i kanë dhënë ultimatum Qeverisë deri të premten që t’i plotësohen kërkesat.

Me këtë premtim, Duraku ndërpreu grevën në pritje të një vendimi nga institucionet përkatëse.