Lajme

Infermieri në grevë tash e 7 ditë: Kolegët e tjerë janë të shantazhuar

“Çështja pse infermierët e tjerë nuk më janë ba

“Çështja pse infermierët e tjerë nuk më janë bashkëngjitur, unë mendoj se ka të bëjë me shantazh dhe nënshtrim përmes kontrollit financiar”.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, infermieri i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku, i cili tash e shtatë ditë ka hyrë në grevë urie për shkak të pakënaqësive, për çka ka kërkuar realizimin e rritjes së pagesës së ndërrimeve të natës nga 18 euro në 36, pagesën e punës gjatë vikendeve dhe pagesën e orëve shtesë sikurse mjekëve, si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë.

Duraku, i cili për momentin është i vetëm në këtë grevë të nisur para një jave, thotë se kolegët nuk po i bashkëngjiten, vetëm se frikësohen meqë mund të përfundojnë në ndonjë prej komisioneve diciplinore.

“Paramendojeni, ka infermier që i hiqet meditja vetëm se ka palë civile në korridore e që nuk është punë e infermierit fare ajo, po nëse do e ngriste zërin ose do bashkangjiten me mua në grevë, sigurisht që do përfundonte në ndonjë prej komisioneve diciplinore. Thënë këtë, unë mendoj që infermierët kanë frikë të bashkangjiten e jo pse nuk i’u konvenon rritja e pagesës së ndërrimeve të natës apo pagesa e punës gjatë vikendeve dhe pagesa e orëve shtesë”, ka thënë Duraku për redaksinë.

Infermieri, i cili pas shtatë ditësh mbajtje të grevës së urisë, po ndihet i plogësht dhe me dhimbje më të mëdha sesa në grevën e tij të parë të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, tregon disa përvoja të infermierëve brenda QKUK-së, punën e të cilëve e krahason me infermierët në kohën e regjimit të UDBA-s, “sistem” ky që atë nuk e ka frikësuar të shfaqë pakënaqësitë e tij me anë të grevës së urisë.

“90% të infermierëve kanë obligime ndaj bankave, ndër arsyet tjera, ndërsa i frikësohen largimit nga puna apo penalizimeve të ndryshme që potencialisht ka mundësi të ndikojë negativisht në të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre”, shprehet ai.

“Ka infermier që është penalizuar vetëm pse ka hasur drejtori i tij palë civile në klinikë, në rastin tjetër infermieri është detyruar që 12 orë të qëndrojë te hyrja e klinikës duke e luajtur rolin e sigurimit fizik, thënë shkurt infermieri këtu është fajtor kujdestar, ndërsa kërkohet deklaratë nga infermieri për çdo gjë me ose pa fajin e tij, si të ishim nën regjimin e UDB-së”, ka thënë ai, derisa u bëri thirrje kolegëve infermierë që t’i bashkëngjiten atij në mënyrë që kërkesat e tyre të realizohen përgjatë ditës.

Ai beson se nëse do të kishte përkrahje nga kolegët – duke vepruar njësojë të gjithë- brenda orëve do të gjendej baza ligjore ose do të krijohej një e tillë, apo siç thotë ai, “do ndryshohej ndonjë ligj aktual, ashtu siç me urgjencë në gjysmë të natës u provua të ndryshohej ligji për zgjedhjet”.

Derisa foli për ndryshime ligjesh, Duraku njoftoi se deri më tani askush nga institucionet e as nga politikanët nuk e kanë kontaktuar, gjë që sipas tij, tregon se nuk janë duke e marrë seriozisht grevën e tij.

“Mirëpo unë jam këtu për t’ua dëshmu të kundërtën, pasi që nuk do heq dorë nga e drejta ime për një trajtim adekuat dhe mirëqenie socio-ekonomike, madje edhe nëse kjo do rezultojë me pasoja fatale për mua”, është shprehur më tej Duraku.

Sekretari i sindikatës së infermierëve në grevën e tij të parë të mbajtur para disa muajsh, ishte mbështetur nga ministri i tanishëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, mirëpo i njëjti pas ardhjes në krye të këtij dikasteri, nuk është i qasshëm as në thirrjet e tij për takim.

“Unë mendoj që ministri është i angazhuar tepër, ndërsa thirrjet që i’a kam bërë ose nuk i’a kanë përcjellë stafi i tij apo ndoshta gabohem dhe ai ka ndryshuar pas pozitës gjë që dyshoj, sepse gjatë grevës së parë më ka përkrahur dhe lavdëruar për konsistencën në qëndrimet dhe parimet e mia”, thotë Duraku.  /Insajderi.com