Maqedoni

Infermierët, të pakënaqur me rritjen prej 10% të pagave

Unioni i Infermierëve të pakënaqur me rritjen e paralajmëruar të pagesës për 10%. Thonë se ndjehen të diskriminuar që mjekët dhe specialistët morën përqindje më të lartë të rritjes së pagës, duke thënë se puna e tyre është ekipore. Vlerësojnë se ndarja e buxhetit duhet të bëhet në mënyrë lineare, me përqindje të barabartë për të gjithë të punësuarit në Shëndetësi. Infermierët u kërcënuan me padëgjueshmëri në vendin e punës nëse nuk përmirësohet përqindja nga 10 në 15.

Motrat tona të cilat janë pjesë e Sindikatës dhe që janë  anëtarësi shumë e madhe në shoqatën tonë paralajmërojnë se do të organizohen për padëgjueshmëri në vendin e punës. Shpresojmë të mos vijmë deri tek një hap i tillë dhe do ta shfrytëzojmë momentin deri në firmosjen e marrëveshjes që të gjithë sugjerimet tona të pranohen dhe të jemi të kënaqur si infermieret, administrata ashtu dhe personeli ndihmës teknik- deklaroi Gordana Beshliovska, Kryetare e Unionit të Infermierëve të Maqedonisë.

Kërkojmë që rrogat të ndahen në mënyrë lineare, 15% për të gjithë njëlloj me qëllim që të gjithë të jenë të kënaqur dhe të mos paraqitet pakënaqësi . Kjo që tani është arritur, gjegjësisht që duhet të arrihet në shprehim njëfarë pakënaqësie në emër të të gjithë anëtarëve, infermierëve shqiptarë që kjo të bëhet në mënyrë lineare dhe pakënaqësia të jetë e barabartë me zero-  tha Xhevat Saliu, Kryetar i shoqatës së motrave medicinale shqiptare.

Vitin e kaluar infermierët morën rritje të pagës për 5% ndërsa iu premtua edhe një rritje tjetër për 3% të cilën ende nuk kanë filluar ta marrin. Autoritetet u kanë premtuar se në nëntor do të fillojnë ta marrin edhe rritjen 3 përqindëshe. Ndërkohë prej muajit shkurt paga e tyre do të rritet për 10% të tjera shtesë. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se rritje e pagave të infermierëve është më e madhja që ka ndodhur deri më tani, duke shtuar se kjo është hera e parë që motrat medicinale nuk duhet të ndjehen të ofenduara sepse ato janë të respektuara dhe të vlerësuara.

Vjollca Aliti                                                   

 

Loading…