Lajme

Ikja e numrit të madh të mjekëve nga Kosova, Zemaj kërkon shtimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë

Ikja e numrit të madh te mjekëve dhe infermierëve nga Kosova, po bëhet edhe më shqetësuese dita ditës.

 

Reklamo bizensin tuaj ketu

Madje ikja e një numri të madh të tyre nga vendi dhe zhvendosja e kontributit të tyre mjekësor nëpër vende të ndryshme të botës ka shqetësuar dhe të parin e Shëndetësisë në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha sot se për arsye se ka pak mjek për numrin e popullsisë, duke qenë të tejngakaur mjekët me shërbime brenda orarit të punës dhe me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe sasisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët dhe shkaku i mungesave të krijuara nga kuadri që po largohet nga sistemi dhe arsyet tjera, ka kërkuar shtimin e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

“Këtë kërkesë emergjente ia kam adresuar Ministrit të Arsimit, z. Likaj, tek kryetari i këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës, z. Bajra, tek rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Sahiti dhe tek znj. Manxhuka Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë, për rritje të numrit të studentëve më Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021”, tha Zemaj.

Ministri shtoi gjithashtu se kjo rritje mundëson edhe rritjen e shërbimeve shëndetësore adekuate dhe profesionale.

“Kjo rritje mundëson rritjen e shërbimeve shëndetësore adekuate dhe profesionale, Zëvendësimin e profesionistëve shëndetësor të moshuar dhe pensionuar, Plotësimin e boshllëkut të krijuar nga ikja e profesionistëve nga vendi, Mundësimin e zhvillimit dhe qëndrimit të tyre në vend, përmes krijimit të kushteve të bërë tanimë nga MSh me dhënien e specializimeve për të gjithë profesionistët.Madje, konsideroj se rritja e numrit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, është interes nacional”, shtoi ai.