Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të certifikatës së saj të lindjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në organizatën më të madhe botërore e ka cilësuar këtë si një akt të ulët të autoriteteve serbe që dëshmon se Serbia e ka vjedhur dokumentacionin e Kosovës.
“Serbia vodhi regjistrin civil, regjistrimet kadastrale, artefaktet etj. Ata nuk kanë turp dhe nuk e fshehin atë”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në Facebook.
“Për disa arsye të pafalshme, kolegët tanë serbë menduan se ishte një ide e mirë për ta gjetur një kopje të “certifikatës së lindjes” time dhe ta prezantojmë atë përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Vlora Çitaku duke theksuar me ironi se e vlerëson interesin e serbëve për figurat politike të Kosovës.
Kujtojmë se në seancën e OKB-së për Kosovën, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka paraqitur një certifikatë të lindjes të Serbisë, që mbante emrin e ambasadores së Kosovës, Vlora Çitaku, duke thënë se ajo shtetase e Serbisë dhe se kurrë nuk ka hequr dorë nga kjo shtetësi. “Ti ende je qytetare e Serbisë”, i tha Daçiç, Çitakut.
Etiketa: certifikate serbe, citaku, DACIC, ministri serb, Reagim, Vlora Çitaku