Lajme

I kërkuar për vrasjen e biznesmenit në Vlorë, arrestohet 34-vjeçari

Një 34-vjeçar i kërkuar për vrasje ka rënë në prangat e policisë pas një ndjekjeje disaditore nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Tiranë, e Durrës.

Eduart Xhezo qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli, por prangoset pas ndjekjes dhe bllokimit të rrugës në Shkozet, Durrës.

Shtetasi Eduart Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i Policisë

Durrës

Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vë në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.

Pas një ndjekjeje disaditore nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Tiranë, e Durrës u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes dhe kapja e 34-vjeçarit, i kërkuar për vrasje.

Qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli, por prangoset pas ndjekjes dhe bllokimit të rrugës në Shkozet, Durrës. 34-vjeçari nga Vlora, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”.

Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë pas informacioneve të marra për vendndodhjen e personit në kërkim organizoi punën për kapjen e tij, i cili sapo ka parë Policinë ka lëvizur me shpejtësi të madhe në Drejtim të Durrësit.

Menjëherë është njoftuar Policia e Durrësit dhe në hyrje të Durrësit, Policia ngriti një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por edhe në këtë pikë kontrolli drejtuesi i mejtit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi.

Forca e Posaçme Shqiponja e DVP Durrës dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat, të cilët u shoqëruan në Polici.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis dhe dy karta identiteti me iniciale A. S., dhe S. J.. Pas verifikimit të bërë karta e identitetit me emër A. S. rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia në kartë i përkiste shtetasit në kërkim Eduart Xhezo, 34 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Shkallës Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”, pasi më datën 04.08.2019, rreth orës 19.30, në lagjen “1 Maj”, Vlorë janë goditur me armë shtetasit A. B., E. B. dhe N. H. dhe ky shtetas dyshohet si një nga autorët e kësaj ngjarjeje.

***

Eduart Xhezo, 34 vjeç, është i dyshuari kryesor për vrasjen e 50-vjeçarit Arben Beqiraj, pas përshkallëzimit të një konflikti në të shtëna armësh, në zonën “Plazhi i vjetër” në Vlorë, është një person me një dosje të pasur penale.

34-vjeçari rreth 10 vite më parë, është dënuar me 9 vjet e 4 muaj burg nën akuzën “Vrasje me dashje të dy a më shumë personave”, të mbetur në tentativë, si dhe për “Armëmbajtje pa leje”. Lidhur me këto akuza, Xhezo, u arrestua pas 5 vitesh në kërkim.

Asokohe, më dhjetor të vitit 2005, kur puunonte si shitës zarzavatesh me shumicë, Xhezo është konfliktuar me shtetasit Skënder dhe Klodjan Rama, të cilët ishin paraqitur në dyqan për të bërë furnizimin me artikuj bujqësorë. Midis tyre nisi një debat lidhur me çmimin e një sasie patatesh që po peshohej dhe në mungesë dakordësie, blerësit janë tërhequr nga blerja e mallit. Kjo përballje verbale ka shërbyer si shkak për nisjen e një përplasjeje fizike. Mësohet se Xhezo ka marrë një gurë peshe dhe me të ka goditur në kokë Klodjanin.

Grindja është ndërprerë pasi blerësit janë larguar. Kreshnik Rama, djali tjetër i Skënder Ramës, po atë ditë, rreth orës 09:00 të mëngjesit, pa qenë në dijeni në lidhje të grindjes, rastësisht ka shkuar për t’u furnizuar me furgon. Por, Xhezo duke pandehur se kishte shkuar për t’u hakmarrë, ka marrë një armë automatike dhe në momentin që furgoni ka ndaluar është afruar dhe në një distancë rreth 7-8 m ka qëlluar në drejtimin të tij.

Si pasojë e agresionit mbeti i plagosur Rama së bashku me shoferin e furgonit. Pas kësaj ngjarjeje, Xhezo, është arrratisur dhe hetimet janë zhvilluar në mungesë të tij. Fillimisht, dënimi i dhënë nga Gjykata për Xhezon ishte me 14 vjet burg, ndërsa duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, subjektit i mbeteshin të vuante vetëm 9 vjet e 4 muaj burg.

Vendimi i marrë në mungesë të tij nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë dhe më pas e lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, u dërgua nga Xhezo në Gjykatën e Lartë, instancë që në vitin 2012, e uli dënimimin në vetëm 2 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.


Etiketa: , ,