Kult

I CILËSOI ZAPTUES/ Çipi e Tolka, Margaritit: Gënjen për Teatrin! Mos guxo të kërcënosh?

Ditën e martë ministrja e Kulturës Elva Marg

Ditën e martë ministrja e Kulturës Elva Margariti gjatë një interviste në Wake Up në Top Channel i cilësoi zaptues të pronës publike artistët e qytetarët që mbrojnë Teatrin Kombëtar prej 2 vitesh dhe shtoi se në një vend tjetër do ishte ndjekur në forma të ndryshme. Në përgjigje të saj, kanë reaguar regjisori Kastriot Çipi dhe aktorja Adriana Tolka.
Çipi ndalet te ato që i cilëson të pavërteta të ministres së Kulturës ndërsa Tolka thotë se “ju do të harroheni sapo të ikni nga pushteti”. Më poshtë dy reagimet të plota.





KASTRIOT ÇIPI
Mesazh në ‘Facebook’ për ministren Margariti:
Arkitektja ministre e kulturës, zonja Elva Margariti, ka folur sot në mëngjes në TCH për çështjen e Teatrit Kombëtar. Elva arkitekte, edhe këtë herë, është munduar, pa sukses, ta ndajë veten nga Margariti ministre. Elva arkitekte ka gënjyer, siç ia do puna Margaritit ministre, duke thënë se edhe nëse restaurohet, Teatri Kombëtar nuk i plotëson standardet e 2020-s. Ajo (ose ato të dyja) e dinë mirë se në Shqipëri NUK KA standarde të miratuara për ndërtimin e teatrove. Nëse do të kishte, asaj do t’i duhej sot të padiste, për shpërdorim detyre, paraardhësen Kumbaro, që ka çuar dëm 4 milionë euro për “Arturbinën”, një “teatër” të përcaktuar prej vetë asaj (Kumbaros) si “teatër spartan”, thënë ndryshe, pa standarde.

Elva arkitekte ka gënjyer më tej, duke thënë se Teatri Kombëtar nuk mund të restaurohet, pasi materialet me të cilat është ndërtuar, nuk restaurohen. Nuk është nevoja të jesh arkitekt, për të kuptuar se restaurim i një ndërtese nuk do të thotë doemos, p.sh., të mbledhësh copat e një guri e t’i ngjisësh (guri i ngjitur nuk është gjithsesi guri fillestar), por në murin fillestar prej guri, të zëvendësosh me gur të të njëjtit lloj, gurin e thyer apo të munguar. Panelet e parafabrikuara prej fibrash druri dhe çimentoje (dikur të quajtuara populit) janë lehtësisht të gjetshme sot në Itali, ku jo vetëm prodhohen ende, por janë më në modë se kurrë.
Elva arkitekte, në vijim, i bën qokën Margaritit ministre, duke shmangur qëllimisht fjalët “histori” dhe “trashëgimi” dhe flet vetëm për vlera “emocionale”, duke u treguar më e butë se sa diktatori të cilit ajo i shërben, që e quan “plasje” reagimin e artistëve dhe qytetarëve, apo Qeni i tij të Sulmit, që e quan “histeri”.
Në fakt, ndërtesat ruhen më së pari për arsye emocionale, sepse edhe vlerat arkitektonike, nuk ekzistojnë përtej emocioneve të njerëzve.

Sidoqoftë, e paduruar për të folur sërish si Margariti ministre, Elva arkitekte e mbyll këtë pjesë të “opinionit” të saj duke thënë se ajo, si arkitekte, ka dilemë për këtë çështje. Dy minutat më pas, Elva arkitekte ia lë vendin Margaritit ministre dhe flet për artistë që kanë zaptuar pronën publike dhe që madje do të duhej të ndëshkoheshin. Flet për “dëm ekonomik” dhe për ta bindur intervistuesin, Margariti ministre, i thotë, si shkarazi, “nuk e di sa njohuri juridike keni”.
Por pjesa më e rëndë e deklaratës së ministres arkitekte është kur thotë se “zaptimi” i Teatrit Kombëtar, “në një shtet tjetër do të ishte ndjekur në forma të ndryshme”. Në fakt, nuk di asnjë rast në historinë e teatrit botëror, që një qeveri të ketë ndëshkuar penalisht artistët që mbrojnë një teatër nga shembja. Nuk ka ndodhur as në Uganda. Atje qeveria pati idenë të shembë teatrin e vjetër të ndërtuar nga kolonizatorët britanikë, për ta zëvendësuar me një teatër modern dhe disa kulla biznesi, por brenda vitit u tërhoq, pas protestave të artistëve.
Ndërsa në Italinë fqinje, ku ka studiuar arkitekturë zonja ministre, artistët kanë pushtuar Teatro Valle dhe e kanë përdorur për shfaqje dhe fjalime proteste plot pesë vjet (2011-2016), pikërisht për të mos lejuar mbylljen, derisa Bashkia e Romës ka vendosur restaurimin e tij. Dhe gjatë këtyre pesë viteve protestë, Bashkia e Romës jo vetëm nuk ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe ujë, por pagoi të gjitha faturat.

ADRIANA TOLKA
Mesazh nga sheshi i Teatrit për ministren Margariti:
Kam disa ditë që më kanë rënë në dorë pjesa më e madhe e filmimeve të 24 korrikut. I falënderoj të gjithë miqtë e mi të Aleancës, të cilët mundën të mbanin gjallë nëpërmjet celularëve të tyre, të dokumentonin atë çka ndodhi atë datë dhe unë kam tashmë një thesar në kompjuterin tim. Mendoj që sa të jetë jeta do t’i kem e do t’u kthehem atyre herë pas here.

Më mallëngjen shumë ajo ditë dhe jo më kot e përmenda sot sepse desha t’i drejtohem kështu ministres Elva Margariti. Zonja ministre, do të të flas me ti, sepse nuk e meriton të të flas me ju. Unë nuk e kam zakon t’u flas njerëzve të largët me ti, nuk kam asnjë lloj afrimiteti me ty, nuk do të doja të kisha për sa kohë ti do të mendosh e do të përdorësh atë gjuhë që përdore sot në emisionin e mëngjesit në Top Channel kundër artistëve dhe kundra meje, e kam marrë në mënyrë personale, zonja Elva Margariti. Nuk meriton të jesh ministrja ime. Ti sot dole në dritë. Kush je ti? Nga vjen? Ti more vesh për ekzistencën time vetëm para dy muajve kur erdhe e më pe në shfaqje, aksidentalisht ndoshta. Po të mos ishe ministre as do të kishe patur shansin të më shihje e do të ishte humbja jote. Çfarë di ti për mua? Unë kam njëzet vjet në skenë. Ti s’di asgjë për mua dhe merr guximin të më etiketosh uzurpatore? Ti? Ti çfarë ke bërë në profesionin tënd? Dëgjuam të flitej për ty vetëm kur u bëre kanakare e pushtetit si shumë të tjerë.

Eja përballu me veprat e tua të mira, me krijimtarinë tënde, zonja Elva Margariti. Të paktën me mua, me personin tim.
Dhe në atë gjuhë që përdore sot, sado me fytyrën tënde të bukur, sado me një gjuhë të zgjedhur, të lehtë, të ëmbël, lexova kërcënim. Mos guxo ta bësh më! Ti ke zgjedhur të jesh kalimtare në këtë tokë. Të jesh si shumë të tjerë. Të mos lësh asnjë gjurmë. Kur të biesh nesër nga ministre më e shumta do të përmendesh si një fotokopje e keqe e paraardhëses tënde. Kurse unë kam zgjedhur të lë gjurmën time të rëndë mbi këtë tokë, të rebelohem, të jetoj në mënyrë rebele kundër gjithçkaje që ngrihet mbi dashurinë njerëzore, kundër gjithçkaje që godet bukurinë e thellësisë së shpirtit njerëzor sepse gjithçka ju e bëni, ti dhe ata që të mbështesin ty, e bëni vetëm në emër të dëshirave tuaja mishtore. Dhe këtu hyn paraja në mënyrë direkte. Në emër të fasadës së bukur së jashtmi dhe bosh përbrenda. A ke shkuar ndonjëherë të shohësh vërtet ArTurbinën, zonja ministre? Jo vetëm të shkosh në skenë. A i ke dëgjuar aktorët dhe ata firmëtarë pro shembjes së teatrit sesi ankohen, sesi ju mallkojnë nga mëngjesi deri në darkë? Dëgjoji se ata janë të parët që ju mallkojnë juve, ju mallkojnë sa herë shkojnë të zhvishen, sa herë shkojnë bëjnë prova.

Ambientet e ArTurbinës janë si një pavijon i madh. Keni ndërmend të na ktheni në të sëmurë psikiatrikë, zonja ministre? Ndoshta taborët tuaj, ata që ju ndjekin nga pas, servilët, po. Mua nuk do të më bëni dot pjesë të këtij tabori. Edhe njëherë… Sado ëmbël të flasësh, me fytyrën tënde të ëmbël, mos guxo të më kërcënosh mua dhe të ngjashmit e mi.