Kosovë

I arratisur nga burgu i Lipjanit: Kush është 19-vjeçari që po ndërlidhet me grabitjet në Prishtinë

Riad Sopjani, 19 vjeç është i dyshuar për grabitjet e fundit që kanë ndodhur në Prishtinë.

Referuar rasteve të fundit të grabitjeve, Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve të rëndësishme dhe ka realizuar operacione të bastisjeve e të kërkimit për grupe dhe  individ të veçantë të përfshinë në këto raste.

Ky i dyshuar aktualisht në arrati, dhe është shpallur në kërkim nga ana e policisë.

I riu 19 vjeçar, sipas lajmi.net, para dy muajve ishte arratisur nga burgu i Lipjanit bashkë më një person tjetër.

Ai ishte i dënuar më një vit burg për shkak të grabitjes.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se sonte rreth orës 17:35, të miturit , R. S, viti i lindjes 2001 dhe A.K viti i lindjes 2003  janë arratisur nga Qendra Korrektuese Lipjan. R. S , ishte i dënuar me një vit  për veprën penale; Grabitje.  A.K, ishte i dënuar me një vit  për veprën penale; Lëndim i rëndë trupor.   Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa SHKK ka themeluar Komision Hetimor për të hetuar se si ka ardhur deri te arratisja”, thuhët në një komunikatë të Shërbimit Korrektues të Kosovës të datës 28 tetor 2020.

Gjykata Themelore në Gjilan-Departamenti i Përgjithshëm në vitin 2019 e kishte dënuar atë për veprat penale vjedhje e rëndë, vjedhje, dhe vjedhje në tentativë, vjedhje në bashkëkryerje me të pandehurin Nexhat Abdullahu.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhet se: të pandehurit Riad Sopjani dhe Florian Mitev, në bashkëveprim në rrugën ”Mulla Idrizi” në Gjilan kanë kryer vjedhje të rëndë në shitoren e të dëmtuarit Besnik Selimi nga Gjilani ashtuqë i shkaktojnë dëm në vlerë prej 240 Euro. I pandehuri Riad Sopjani gjithashtu akuzohej edhe për veprën penale vjedhje si dhe veprën penale vjedhje në bashkëkryerje me të akuzuarin Nexhat Abdullahu. Ndërsa sipas aktakuzës të gjithë të akuzuarit së bashku akuzohen për veprën penale vjedhje në tentativë.

Policia e Kosovës, e ka ndërlidhur emrin e tij më rastet e fundit të grabitjeve në Prishtinë.

Policia njoftoi se ai akoma është në arrati. Andaj, ka apeluar  të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij, apo çfarëdolloj informacioni tjetër që do ti kontribuonte kapjes së tij, t’ ia kalojnë ato policisë përmes linjës 192, apo në çfarëdo forme tjetër.