Lajme

Hysni Gucati sot paraqitet në Speciale

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) Hysni Gucati do të paraqitet sot, në orën 15:00, për herë të parë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara.

Paraqitja e parë e Gucatit do të mbahet në seancë publike, e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të martën, para Dhomave të Specializuara u paraqit edhe nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Edhe ai u arrestua më 25 shtator, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.

Kundër Gucatit dhe Haradinajt nuk ka ende aktakuza të ngritura.

Tri herë muajin e kaluar, OVL e UÇK-së ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Duke reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.