Bota

Hungaria, shteti i parë i BE-së që blen vaksinën ruse Sputnik-V

Hungaria ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë për të blerë doza të vaksinës Spunik-V, duke u bërë shteti i parë i Bashkimit Evropian që bën një gjë të tillë.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me ministrin rus të Shëndetësisë, Mikhail Murashko, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto tha të premten se “një sasi e madhe” e vaksinave do të arrijë përmes tri dërgesave. Ai shtoi se detajet e tjera të rëndësishme do të bëhen publike më vonë.

Autoritetet për barna në Hungari kanë dhënë miratimin e tyre paraprak për përdorimin e dy vaksinave kundër sëmundjes COVID-19 – atë të prodhuesit britanik, AstraZeneca dhe të vaksinës ruse Sputnik-V.

Hungaria ka miratuar përdorimin e dozave të vaksinës Sputnik V për gjashtë muaj, me mundësi të zgjatjes edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Agjencia evropiane për Barna (EMA) ende nuk ka miratuar përdorimin e vaksinës ruse.

Kjo agjenci, po ashtu ende nuk ka miratuar për përdorim as vaksinën e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka prodhuar në bashkëpunim me Universitetin e Oxford-it. Por, një miratim i tillë pritet të ndodhë më 29 janar.

EMA deri më tani ka miratuar dy vaksina, të cilat mund të përdoren në 27 shtetet e bllokut: vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNTech dhe atë të kompanisë Moderna.

Njoftimi nga Szijjarto për nënshkrimin e marrëveshjes me Rusinë erdhi pasi kryeministri hungarez, Viktor Orban tha për radion shtetërore hungareze se shteti ka për qëllim të miratojë për përdorim një sërë vaksinash, me qëllim që të nisë fushatën masive të imunizimit.

Budapesti zyrtar është po ashtu në negociata për të blerë vaksinën kineze, Sinopharm.

Deri më tani, në Hungari – që ka popullsi prej pothuajse dhjetë milionë banorësh – janë vaksinuar mbi 138 mijë persona.

Që prej fillimit të pandemisë, Hungaria ka raportuar mbi 354 mijë raste me koronavirus dhe mbi 11,713 viktima.