Lajme

Hoxhaj: Kurti si autokrat po kërcënon mediat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thotë se pa bërë një muaj të plotë në krye të Qeverisë, ka nisur projektin për shndërrimin e demokracinë e qytetarëve të Kosovës në autokraci të pushtetarëve.

Në një postim në Facebook, Hoxhaj është shprehur se bilanci i tre javëve të pushtetit të Albin Kurtit është dëshpërues si qeverisje dhe shumë i rrezikshëm si qasje.

“Mbyllja e patakt e qytetarëve dhe ekonomisë, dështimi i sigurimit të vaksinave, zhvendosja nga problemet reale të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet elektorale të Shqipërisë, paraqitja e Kosovës si shtet i dështuar e kriminal në OKB dhe së fundmi, kërcënimi arbitrar e autoritar i mediave të pavarura dhe fjalës së lirë, shpërfaqën edhe një herë me radhë atë që ne kemi thënë gjithmonë se çfarë përfaqëson realisht Albin Kurti dhe mendësia e tij”, shkruan Hoxhaj.

Ai thekson që këta hapa të paramenduar drejt autokracisë së Kurtit mbi demokracinë e qytetarëve , janë të papranueshëm për PDK-në dhe për çdo qytetar që e do drejtësinë mbi pushtetin dhe demokracinë mbi arbitraritetin.

“Ne do t’i rezistojmë kësaj tendence në çdo hap. Kurti do ta kuptojë se Kosova dhe demokracia jonë që duket e vogël për ambicien e pangopur të tij për pushtet, është e madhe, e dashur dhe e patjetërsueshme në zemrat e qytetarëve të saj”, përfundon ai./Insajderi.com