Lajme

Hoti mbetet pa këshilltarin e shëndetësisë në kohë pandemie

Kabineti i kryeministrit Hoti ka mbetur me një këshilltar më pak. Visar Berisha, këshilltar për shëndetësi i kryeministrit Avdullah Hoti, ka dhënë dorëheqjen të martën.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Zyrtarisht prej sot nuk jam më pjesë e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Arsyet janë të mijat dhe do mbesin të tilla”, ka shkruar Berisha.

Ai thotë se lojaliteti ndaj Republikës dhe barazia kanë qenë ato që e kanë nxitur të jetë pjesë e projektit politik për këta muaj.

“Të njëjtat po i marr me vete pa ndryshuar asgjë në to. Vazhdoj me besu se kjo Qeveri ka bë deri sot njërin prej akteve më patriotike të 10 viteve te fundit në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, duke nënshkruar Marrëveshjen e Washingtonit”, ka thënë ai.

Ai ishte këshilltar për shëndetësi, por në njoftimin për dorëheqje nuk foli për këtë fushë.

Qeveria Hoti po përballet me telashe të mëdha në lidhje me menaxhimin e pandemisë dhe krizës që ka shkaktuar ajo.