Kosovë

Hoti e Zemaj zmbrapsen nga ideja për mbyllje totale pas kundërshtive nga bizneset e koalicioni

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, njëherësh edhe bashkëpartiakun, Armend Zemajn, paralajmëruan mbyllje totale të vendit pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në vend. Megjithatë, masat e reja tregojnë se i pari i ekzekutivit u zmbraps nga një drejtim i tillë që e çonte vendin në një mbyllje të dytë.

Kryeministri Hoti përgjatë ditës së sotme njoftoi për masat e reja parandaluese për përhapjen e koronavirusit, në të cilat përfshihej edhe ora policore vetëm për komunat në zonë të kuqe, shkruan Gazeta Express.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Ndonëse e kishte përmendur izolimin total, ai u zmbraps nga diçka e tillë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, përgjatë ditës së djeshme, Hoti paralajmëroi se Kosova po shkonte drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike. Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.

Ditë më parë, ngjashëm po deklaronte edhe i pari i dikasterit të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai, përgjatë emisionit ‘DebatPlus’ në ‘TV Dukagjini’ deklaroi se në rast të shtimit të të diagnostikuarve me virusin korona, do ketë izolim total.

“Nëse nuk kemi ulje të rasteve, do të ketë mbyllje totale”, u shpreh Zemaj.

Por, deklarata të tilla duket se u venitën në praktikë, për shkak të presionit të qytetarëve, bizneseve, si dhe partnerit të koalicionit, Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK).

Nën parullën #NoLockDown (Jo Mbylljes), qytetarët e Kosovës përgjatë ditës së djeshme nëpër rrjetet sociale kundërshtuan zëshëm një izolim të dytë total të vendit. Kësaj nisme iu bashkëngjitën edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, përfaqësues të së cilës po pohojnë se ky sektor i ekonomisë nuk po mbështetet financiarisht nga qeveria.

AAK, në konferencën e mbajturgjatë ditës së sotme, doli kundër mbylljes së plotë, duke thënë se ka alternativa të tjera për zvogëlimin e numrit të rasteve me Covid-19.

“Ne iu kemi dërguar një letër të gjithë kolegëve tanë në Qeveri dhe të mos nguten në mbyllje totale të të gjithë vendit. Të gjithë përfaqësuesit e AAK’së nuk pranojnë të votojnë izolimin total të vendit. Ka ende alternativa për shfrytëzimin total të vendit”, deklaroi deputetja e këtij fraksioni politik, Albulena Reshitaj, njëherësh edhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Megjithatë, kreut të ekzekutivit nuk po i ecën fjala as për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, që po shihet si një hap tjetër për lehtësimin e jetës së qytetarëve në periudhën e pandemisë koronavirus.

Përgjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur sot, partia e tij ishte e vetmja prezente, duke mos gjetur kuorum për votimin e projektligjit. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, paralajmëroisot se partia e tij nuk do të shfaqet në Kuvend përgjatë kësaj jave.

Sido që të jetë, të një mendimi me Zemajn e Hotin nuk kanë qenë as njohësit e çështjeve ekonomike. Safet Gerxhaliu, ekspert në fushën e ekonomisë, në një deklarim për Gazetën Express, kërkesat për mbyllje totale i shihte si veprime “për kalkulime politike dhe vota” dhe shquante mungesën e komunikimit të Hotit me qytetarët për marrjen e vendimeve.

“Fakti që vendet e rajonit iu qëndrojnë afër qytetarëve e bizneseve, teksa në vend nuk ndodh një gjë e tillë, tregon se në Kosovë vendimet po merren për kalkulime politike dhe vota, e kjo po dëshmohet në çdo pore shoqërore. Një qasje e tillë është e gabuar nga qeveria, pasi që është duke marrë vendime pa një dialog publiko-privat, respektivisht pa komunikim me qytetarët”, deklaroi Gerxhaliu për Express.

Njohësi i ekonomisë, po ashtu, e porositi qeverinë edhe për t’u gjetur një strategji për përforcim ekonomike.

“Është e rëndësishme që të mos humbet koha e analizimit të dëmeve ekonomike, e të mendohet një strategji për rimëkëmbje ekonomike. Qeveria duhet të mbështesë sektorin privat, si dhe t’i ruajë vendet e punës”, shtoi ai.

Për izolim mbarëkombëtar shprehu shqetësim edhe Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë (OEGJK), e cila sqaroi pasojat që mund të vijojnë.

“OEGJK vlerëson se një mbyllje e dytë, e pakoordinuar dhe e pa fokusuar, do të ishte një goditje e rëndë për bizneset anëtare të Odës, që do të rezultonte me humbje të vendeve të punës dhe do të rrezikonte kontratat për eksport të shërbimeve dhe mallrave me partnerë gjermanë”, deklaroi oda gjermane në Kosovë.

Qeveria nuk ka paralajmëruar asgjë në lidhje me kohëzgjatjen e këtyre masave, ani pse ka thënë se do ndryshojnë në bazë të zonave (e kuqe, e verdhë, e gjelbër). Numri total i rasteve pozitive në vend është 26.121, gjersa 777 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit.