Lajme

Hoti: Asociacioni, temë e mbyllur – dialogu nuk do ngecë për shkak të Kosovës

Kryeministri Avdullah Hoti është shprehur i sigurt se Kosova nuk do të bëjë kompromise për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë.

Ai shfaqi pasiguri për mënyrën e vazhdimit të dialogut pas insistimit të palës serbe për të hapë temën e Asociacionit, por tha se i njëjti nuk do të ngecë për fajin e Kosovës.

Pas inaugurimit të një rruge sot në Prizren, kreu i qeverisë ka komentuar edhe dështimin e miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike pas pesë herë votimi në Kuvend.

“Asociacioni është një temë e kryer, e përmbyllur në vitin 2013. Por dialogu nuk do të ngecë për shkak të Kosovës. Jemi shtet i pavarur, parimet i kemi të qarta të dakorduara me miqtë tanë ndërkombëtar. Mbi bazën e këtyre parimeve jemi të gatshëm për dialogun…Kompromiset Kosova i ka bërë në vitin 2008 kur e ka shpall pavarësinë”, tha ai.

Përkundër që pesë herë radhazi shumica parlamentare e qeverisë nuk arriti të miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, kryeministri Hoti tha se kjo nuk nënkupton asgjë.

”Nënkupton se jo të gjithë deputetët e koalicionit qeverisës kanë qenë në Kuvend, vetëm këtë nënkupton. Disa kanë qenë në udhëtim disa për arsye të ndryshme atë ditë e kanë pasur të pamundur. Në seancën e radhës besoj që do të votohet”, tha ai.

Krahas kësaj Hoti tha se ai është kryeministri më transparent që ka pasur vendi.