Bota

Historiku i përplasjeve për rajonin e kontestuar në Kaukaz

Nagorno-Karabakh, vend malor dhe shumë i pyllëzuar, shtrihet përbrenda territorit të ish-shtetit sovjetik, Azerbajxhan.

Me të drejtën ndërkombëtar, Nagorno-Karabak njihet si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët që përbëjnë shumicën e këtij territori, refuzojnë shtetin e Azerbajxhanit.

Armenët kanë administruar me këtë territor qëkur ushtria e Azerbajxhanit u largua me luftë në vitet ’90.

Tensionet e kamotshme etnike mes armenëve të krishterë dhe fqinjëve myslimanë në Nagorno-Karabakh nisën në fund të viteve ’80.

Përplasjet e vitit 2020 janë më të rëndat që prej vitit 2016 kur u vranë qindra njerëz dhe kërcënuan nisjen e një lufte totale mes dy shteteve, transmeton KOHA.

Konflikte të tilla mund të tërheqin pas vetes fuqitë e mëdha të rajonit, Rusinë dhe Turqinë. Moska ka mbrojtur Armeninë, ndërkaq Ankaraja përkrah Azerbajxhanin.

Në vitet ’80, territori ishte në kufijtë e republikës sovjetike të Azerbajxhanit, ani pse krejt vendimet merreshin në Moskë.

Kur filloi copëtimi i Bashkimit Sovjetik, ishte e pashmangshme që Nagorno-Karabakh do të qeverisej nga Azerbajxhani. Këtë nuk e pranuan armenët etnikë.

Konflikti sektar çoi në luftë mes ushtrisë së Azerbajxhanit dhe armenëve të Nagornos që përkraheshin nga Armenia.

Në këtë luftë u vranë mijëra njerëz dhe mijëra të tjerë u dëbuan.

Autoritetet në Nagorno-Karabakh shpallën pavarësinë në vitin 1990, por vendi nuk u njoh ndërkombëtarisht.

Kjo e la administratën armene pezull dhe nën bllokadë të plotë nga qeveria e Azerbajxhanit.

Në vitin 1994 është arritur marrëveshja ndërkombëtare për armëpushim, pasi për tre vjet konflikt u vranë 30 mijë njerëz.

Armenët etnikë morën në kontroll territorin dhe përfituan edhe disa pjesë të Azerbajxhanit. Me këtë u bë një lidhje edhe më e fortë me Armeninë.

Ndërkaq Azerbajxhani premtoi se do ta merrte kontrollin e territorit, nëse ishte e nevojshme edhe me forcë.

Për vite të tëra kanë dështuar tentimet e fuqive të mëdha për të arritur paqen e rajonit.

Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia dështuan si ndërmjetësuese në vitet e fundit.

Më 27 shtator, Azerbajxhani nisi sulmet për të marrë në kontroll territorin e pretenduar.

Armenia menjëherë ka mobilizuar ushtrinë dhe ka akuzuar shtetin fqinj për sulme mbi civilët.

Turqia i ka dalë në përkrahje Azerbajxhanit ndërkaq, nga hija dolën Franca, SHBA-ja dhe Rusia që bën thirrje për armëpushim dhe bisedime për paqe.

Armëpushimi i arritur më dhjetë tetor pas disa orësh bisedimesh në Moskë, u thye një ditë më vonë.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se me armëpushim do të mundësohej shkëmbimi i të burgosurve dhe kthimi i të vdekurve të luftës.

Nga ky konflikt i armatosur është shkrumbuar qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit, Ganja.

Që prej fillimit të konfliktit të vitit 2020, janë vrarë 40 civilë dhe janë plagosur 200 të tjerë në këtë qytet.

Ndërkaq, Armenia ka deklaruar se në Karabak janë vrarë 429 persona.

Nisja e këtij konflikti ka ngjallur frikën për përfshirjen në të edhe të Turqisë dhe Rusisë.

Gjithashtu ka rritur shqetësimet për sigurinë e tubave të gazit që transportohet në Evropë.

Përkeqësimi i situatës në shtatorin e vitit 2020 është vetëm seri e konflikteve që kanë përfunduar me armëpushime që vazhdimisht janë shkelur nga dy shtetet.