Opinione

Historikisht kemi vuajtur si komb nga shpirtshiturit e tradhtarët që e copëtonin Shqipërinë për pushtet

Nga Xhevdet Pozhari

Nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur do të shpallet fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Askush nuk e vë në dyshim fitoren e Vetëvendosjes me kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurti. E paqartë mbetet vetëm përqindja dhe dallimi me partitë e tjera. Të përballur me këtë fakt, instrumentët shtetërorë janë vënë në veprim. Nëse nuk mund të ndalohet fitorja e tij, atëherë duhet pamundësuar kandidimi i tij. Dhe, këtë e kanë marrë përsipër ata që çdo dështim të deritanishëm të shtetësisë së Kosovës, nëse nuk mund ta shisnin si sukses, atëherë gjithmonë e gjenin një “fajtor kujdestar” si p.sh

– Zbrazet Kosova, Serbia fajet.

– Na mbulon krimi dhe korrupsioni, Rusia fajet.

– Dështojmë në diplomaci, Kina fajet.

– Bëjmë marrëveshje të dëmshme, Amerika fajet.

– Jemi shteti ma i pazhvilluar, perandoria osmane fajet.

Por, askush më s’po i beson përrallave. Njerzit po e presin 14 shkurtin njëjtë qysh dikur i kanë prit bombardimet e NATO-s. Veçse kësaj radhe me ju “bombardu me votë”. Boll ishte. Edhe këtë copë lirie na e nxorrët për hundësh. Hajna.

“Përndjekja” që i bëhet Albin Kurtit na ndërmend faktet se edhe Hasan Prishtinën e dënonin dhe e internonin, vdiq në Greqi. Edhe Sami Frashërin i cili vdiq në Stamboll. Faik Konicën që vdiq në Uashington. Edhe Noli që vdiq në Florida. Dhe lista është e gjatë, shumë e gjatë e të gjithë rilindasve dhe atdhetarëve që iu ndalua veprimtaria në atdhe dhe për shkaqe të ndryshme vdiqën jashtë vendit.

Sot ne mburremi me veprimtarinë dhe trashëgiminë kulturore dhe intelektuale që lanë pas, ndërsa turpërohemi me regjimet shqiptare të asaj kohe që i detyruan të largohen, madje disave duke iu bërë edhe atentate.

Sigurisht se edhe Albinin po të mundnin jo vetëm që do t’ia ndalonin kandidimin, por edhe do ta syrgjynosnin, pakthim. Edhe ndaj Rugovës bënin atentate. Sepse shqiptarët shpesheherë kanë ditur të jenë e keqja e vetvetes. Asgjë nuk është e rastësishme. Historikisht kemi vuajtur si komb nga shpirtshiturit e tradhtarët që e copëtonin Shqipërinë për pushtet.