Lajme

Haziri: Ibrahim Rugova në mësoi si bëhet, si duhet e si ruhet shteti

Në pesëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës dhe në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2021” në Gjilan është mbajtur akademi përkujtimore për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ku për jetën dhe veprën e të cilit kanë folur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, publicisti e kritiku Sabit Rrustem dhe kryeministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Abdullah Hoti.

 

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka theksuar se është i nderuar me mbështetjen e planeve zhvillimore për komunën e Gjilanit nga ana e kryeministrit Abdullah Hoti, derisa siç tha ai, sivjet “Flaka e Janarit 2021” po shënohet më ndryshe, në pandemi që e ka kapluar botën, para zgjedhjeve e në kohë dimri, kurse Gjilanin e mblodhi figura e Ibrahim Rugovës.

Ai ishte njeriu që realizoi ëndrra dhe la trashëgimi lirinë e Kosovës, pavarësinë, demokracinë dhe butësinë e urtësinë politike dhe shumë vlera të tjera.

Haziri, duke vlerësuar veprën e dr. Rugovës, tha se ai ishte njeri i pajtimit e urtësisë, kreator e ideator i pavarësisë së Kosovës dhe nuk lejonte që të mos e duam njëri-tjetrin. Ai në kulturën tonë politike solli falënderimin, ndaj njerëzve që punonin për ne. Ai nuk e pranonte mohimin, refuzimin e lëndimin.

“Ibrahim Rugova edhe mohuesit, kundërshtarët i ka gjunjëzuar para varrit dhe veprës së tij. Ai pati rol fisnik e politik. Ai pos familjes së tij politike, ia deshi edhe të tjerët. Ne të gjallët ia kemi për borxh vlerës që la për këtë vend e këtë popull. Do t’i qëndrojmë prapa këtij vizioni. Rugova thoshte se kompromis i dhembshëm, por i drejtë është pavarësia e Kosovës e atë e ndërtoi me vizion e veprim të urtë”, tha Haziri, që shtoi se ideologjia e Rugovës u godit e po goditet, por një është e vërtetë se ai do të mbetet njeri i mendimit, njeriun e librave, njeriun e pavarësisë.

Haziri, tha se vazhdojmë që me durim e butësi ta qojmë Kosovën përpara, ashtu siç bënte Ibrahim Rugova. Kjo është vlerë e Kosovës.