Lajme

Haziri i quan diskriminuese masat e Qeverisë Hoti: Pse me u mbyllë, veç pse kemi punu më shumë se të tjerët?

Në komunat me rrezik të lartë të infeksionit është edhe Gjilani, ku nga ora 19:00 do të mbyllet çdo aktivitet ekonomik nga e premtja, do të vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, si dhe do të ketë orë policore deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Këto masa të prezantuara sot nga kryeministri Hoti, i ka quajtur diskriminuese kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Haziri ka thënë se arsye pse edhe Gjilani është futur në këtë listë është numri i madh i testimeve për koronavirus.

“Pse me u mbyllë? Sepse kemi punu më shumë se tjerët. Masat janë diskriminuese për komunat që kanë punuar shumë, e që kanë bërë teste shumë si Gjilani që ka mbi 5700 teste ndërsa komunat që nuk bëjnë teste mbetën në zonën e gjelbër. Ne kemi dëshmi se menaxhojmë mirë e drejtë, kemi kontroll mbi këtë infeksion ende të panjohur”, tha Haziri për Gazetën Sinjali.

Përveç orës policore, nga ora 19:00 deri në 05:00 të mëngjesit, në komunat që janë në zonën e kuqe, ndalohet edhe puna e gastronomisë.

Për këtë masë, Haziri tha se ndjen keqardhje, veçanërisht për gastronominë në Gjilan.

“Më vjen keq për mbylljen e gastronomisë gjilanase që janë ndërrmarrës të njohur me kafëteri, restorante, klube si dhe qendra të mëdha tregtare, por do ta mbijetojmë.”, tha tutje Haziri për Sinjalin.

Megjithatë i pari i kësaj komune u shpreh i bindur se “me apo pa qeverinë, ne do të mbijetojmë”.

“Me apo pa qeverinë, ne do të mbijetojmë. Ndjej vuajtje dhe dhimbje për 59 anëtarë që kanë humbur betejën me koronavirusin. Mbi 120.000 qytetarët e gjallë kanë me mbijetu me solidaritet”, u shpreh Haziri.

Në këtë komunë, Haziri njoftoi se janë 387 raste aktive me koronavirus.

Masat e prezantuara nga kryeministri ndahen në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e portokalltë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Shtime dhe Obliliqit.