Lajme

Haxhiu e quan të gabuar logjikën e zëvendësimit të të pagjeturve me të zhvendosurit

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të pagjeturit asnjëherë nuk kanë qenë kusht e as temë në dialogun me Serbinë.

Ajo përmes një konference për media ka thënë se kjo qeveri ka dëmtuar të drejtën legjitime për të kërkuar kthimin e tyre.

“Në pikën 11 të marrëveshjes së Washingtonit përmes një paragrafi barazohen të pagjeturit me ata që janë larguar nga Kosova për çka Kosova nuk mund të mbahet përgjegjëse. Nuk ka çfarë negociohet me Serbinë për këtë para çfarëdo teme me Brukselin duhet të vendosen kusht të pagjeturit”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se është e padrejtë të barazohen të pagjeturit me të zhvendosurit.

“Si nuk iu kujtua kryeministrit Hoti të përmend diskriminimin e shqiptarëve që jetojnë ne Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Nëse kjo Qeveri vazhdon kështu do t’ia bëjë favorin më të madh Serbisë dhe gabimin më të madh Kosovës”, ka thënë ajo.

Ndërkaq deputetja Saranda Bogujevci ka thënë se e kanë ftuar në Komisionin e të Pagjeturve, zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, porse ai ka refuzuar duke u përgjigjur se kjo temë është e konsumuar.

“E kemi ftuar Driton Selmanaj për raportim në Komisionin për të Pagjeturit dhe nga zyra e tij na është kthyer një shkresë ku thuhet se kjo temë është konsumuar dhe është ezauruar’, ka thënë ajo.