24 orë+ Lajme

Haxhi Avdyli: Përveç Lutfi Hazirit, në kryesi të tjerët janë skandalozë me sjellje

Që nga shpërfaqja e mospajtimeve brenda LDK-së, deputeti Haxhi Avdyli ka deklaruar në emisionin “PA MASKË” se sjellja e kryesisë së kësaj partie është skandaloze. Me përjashtim të Lutfi Hazirit, i cili sipas Avdylit, ka qenë i matur në deklarime, të tjerët janë lëshuar në ofendime që është e turpshme të thuhen.

“Struktura të larta të partisë janë duke fyer në mënyrën çnjerëzore njerëzit që nuk mendojnë si ata. Ti mund edhe mos të pajtohesh në politikë, por kur erdhëm tek gjërat personale, nuk bën të fyesh personalisht. Unë nuk do të kisha pas guxim kurrë të fyej Agim Veliun në pamjen e tij. As Isa Mustafën në shëndetin e tij e në pamjen e tij… por, të fyhen personat në bazë të pamjes, në bazë të çështjeve personale, familjare dhe gjërave të tjera, vetëm kanë ndodh dhe po i shoh pre tyre. Dhe, marre duhet me iu ardh… ata e dinë vet nëse janë duke më dëgju se çfarë shkruajnë ….”, ka deklaruar deputeti Haxhi Avdyli.

Ai ka thënë se përjashtim bënë Lutfi Haziri, i cili ka pasur një korrektësi për dallim nga të tjerët.

“Prej këtyre politikanëve që tani janë nënkryetarë dua ta veçj z.Lutfi Haziri i cili ka një korrektësi edhe në deklarata. Të tjerët janë në mënyrë skandaloze duke u sjellë. Ky njeri, i cili shpeshherë kemi ditur edhe mos të pajtohemi për çështje të caktuara në të kaluarën, është duke u sjellë brenda LDK-së si politikan shumë i pjekur në kuptimin e deklaratave”, ka thënë Avdyli, i cili është shprehur se mospajtimet duhet të konsiderohen si normale.

Deputeti Haxhi Avdyli ka ripërsëritur qëndrimin se LDK nuk duhet të mbahet peng vetëm i një emri dhe rrethit të tij duke e apostrofuar kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafa, pasi që sipas Avdylit në në kryesi të LDK-së janë të besueshmit e Isa Mustafës, disa prej të cilëve edhe emra anonimë pa peshë politike që dinë vetëm t’i nënshtrohen udhëheqësit./24-ore.info