Kosovë

Haradinaj e vazhdon betejën me kryeministrin, Hoti e shpërfill krejtësisht liderin e AAK’së

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj që nga lidhja e koalicionit me LDK’në në vazhdimësi ka kundërshtuar veprimet dhe vendimet e kryeministrit Avdullah Hoti. Haradinaj ka kundërshtuar shefin e qeverisë në temën e dialogut, në marrëveshjen e Washingtonit, shuarjen e Task-Forcës dhe tash së fundi në masat e ndërmarra anti-COVID nga ekzekutivi.

Haradinaj dhe Hoti kanë pasur një episodë në rrjete sociale sa i përket shkarkimit të Task-Forcës në kuadër të policisë.

Kreu i AAK’së dhe kryeministri Hoti përmes statuseve të njëpasnjëshme në Facebook thumbonin njëri tjetrin se cili nuk po e lë drejtësinë ta bëjë punën e saj. Ish-kryeministri Haradinaj e kishte kundërshtuar Hotin për çështjen e shuarjes së task-forcës në kuadër të policisë duke e akuzuar atë për ndërhyrje politike.