Lajme

Gucati: Kam luftuar për liri, jam i pafajshëm

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, është paraqitur sot para Gjykatës Speciale për herë të parë pas konfirmimit të aktakuzës.

Ai para gjyqtarit të procedurës paraprake është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës, derisa ka përmendur se është invalid i luftës së UÇK-së dhe ka luftuar për mbrojtjen e vendit.

“Unë Hysni Gucati, dhe bashkëluftëtarët e mi, kemi mbrojtur pragun e shtëpisë dhe atdheun tonë dhe si pasojë, unë jam plagosur me 3 qershor 1999 dhe sot jam invalid i luftës së UÇK-së. Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm, unë kam të drejtë të lirisë dhe shprehjes dhe të drejtën të shprehjes së mendimeve të mia. Është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbroj vlerat e kombit shqiptar dhe të UÇK-së dhe do vazhdojë t’i mbroj këto vlera deri në fund. I nderuar gjyqtar në të gjitha pikat, e ndjej vetën plotësisht të pafajshëm”, ka deklaruar Gucati.