Showbiz

“Guardian” e liston “Future Nostalgian” e Dua Lipës si albumin e dytë më të mirë të vitit

“Për Dua Lipën, viti 2020 nisi me një rrëke lotësh dhe mbaroi po kështu”.

Me këtë përshkrim, e përditshmja prestigjioze britanike “The Guardian” ka nisur numërimin e arsyeve pse ka radhitur gjatë së enjtes “Future Nostalgian”, albumin e këngëtares me prejardhje kosovare Dua Lipa, si të dytin mes 50 më të mirëve të vitit 2020.

Gazeta ka shkruar në një shkrim të gjatë të sajin se kur albumi i dytë i Lipas rrodhi në publik gjatë muajit prill, “këngëtarja rroku Instagramin për ta postuar një video shpjeguese pse kishte marrë vendim që ta publikonte ‘Futur Nostalgian’ një javë përpara kohës së planifikuar”. “Asokohe ajo nuk e dinte nëse ditët e hershme të izolimit të detyrueshëm shkaku i pandemisë ishte kohë e duhur për nxjerrjen e një albumi të kalibruar aq fort me tinguj vallëzimi. Por nuk i duhej që të shqetësohej: në vitin e mbushur përplot me makth dhe frikë, një rreze e vogël nostalgjie për të ardhmen ishte gjëja e duhur”, ka shkruar kritikja e muzikës e kësaj gazete, Kate Solomon.

Në shkrimin e gjatë, gazeta e ka cilësuar albumin si burim të energjisë, me secilën prej 11 këngëve që nxisin rrymime euforike nëpërmjet tingujve të parezistueshëm.

2020-shi, sipas “Guardian”, është viti kur Lipa është shndërruar në një “përbindësh” të popit.

“Ka kërcyer nga kutia e këngëtareve që duken mirë dhe këngëve të shërbyeshme… dhe u bë njëra prej aktereve më të mëdha të popit”.

Gazeta numëron se si gjatë fundnëntorit, më shumë se 5 milionë persona e ndoqën koncertin e saj virtual live “Studio 2054” për ta shikuar atë teksa kërcen e shoqëruar me një trupë valltarësh dhe mysafirë të botës së popit.

“Lotët që mekën atë shkaku i publikimit të hershëm të albumit, rrodhën javë më vonë edhe kur Lipa ishte nominuar për gjashtë çmime “Grammy”, përfshirë edhe albumin e vitit”, ka shkruar gazeta.

“Future Nostalgia”, sipas “Guardian”, nuk po mundohej të bënte deklarime të prera lidhur me gjendjen e botës apo të përfshihej në çfarëdo që shkonte përtej argëtimit.

“Në rast se e jep ndonjë deklarim të çfarëdollojshëm, atëherë ky është se Lipa është një goxha yll i madh i popit. Ajo mund të ketë zënë vendin e dytë në listën tonë, por mos u gaboni: 2020-shi ishte viti i Dua Lipës”, përfundon gazeta.