Kosovë

Grushte nëpër spitale, si po e keqpërdorin kosovarët lejen për të qëndruar me familjarët

136 persona zyrtarë në Kosovë janë sulmuar gjatë vitit 2020. Shumë prej këtyre personave thuhet të jenë punëtorë shëndetësorë. Sulmet ndaj këtyre të fundit s’kanë të ndalur as këtë vit.

Gjatë ditës së djeshme, një infermiere në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është sulmuar nga një familjare e një pacienteje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në shenjë pakënaqësie ndaj përkujdesjes së prindërit të saj, familjarja ka sulmuar fizikisht infermieren derisa ishte në krye të detyrës.

E dyshuara më pastaj është intervistuar dhe me vendim të prokurorit ishte liruar në procedurë të rregullt.

Ky nuk është rasti i vetëm i sulmit ndaj punëtorëve shëndetësorë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Express se vetëm gjatë vitit të kaluar janë raportuar 136 sulme ndaj personave zyrtarë.

Nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) thonë se shumë nga ta janë punëtorë shëndetësorë.

Kryetari i kësaj Federate, Blerim Syla, ka thënë për Express se ka pasur aq shumë raste të sulmeve ndaj punëtorëve shëndetësorë, sa që nuk ka ndonjë statistikë për numrin e tyre.

Ai ka thënë se sulmet janë shndërruar në një dukuri e cila po i gjen të pambrojtur nga shteti punëtorët shëndetësorë.

“Kjo është shndërruar në një dukuri e cila neve na gjen të pambrojtur sepse shteti nuk ndërmerr asgjë. Jepen disa deklarata por nuk dënohen ata persona. Këtu fajtorë është politika”, ka thënë ai.

Syla është shprehur se përkundër që kanë kërkuar që të votohet një Ligj i cili i mbron punëtorët shëndetësorë, një gjë e tillë nuk është bërë nga subjektet politike në vend.

Ndërsa, nënkryetari i Odës së Mjekëve, Naser Gjonbalaj, ka thënë për gazetën se nga fundi i vitit të kaluar veçse kanë filluar edhe më shumë sulmet ndaj punëtorëve shëndetësorë, gjë e cila po vazhdon edhe tani.

Ai ka thënë se si Odë nuk kanë statistika për sulmet ndaj mjekëve, për shkak që sipas tij, ato shpesh nuk raportohen.

“Gjatë pandemisë kjo dukuri filloi të bjerë, por nga fundviti i kaluar veç ka filluar dhe po vazhdon edhe tani. Kjo gjë është vërtetë shqetësuese. Statistika për sulmet ne nuk mund të japim për shkak që shpesh herë nuk bëhen raportimet në Odë. Shpesh herë nuk janë marrë masa, janë mbyllur rastet në vend ose i kanë mbyllur edhe organet. Sulmi është evident por nuk janë marrë masa adekuate”, ka deklaruar ai.

Gjonbalaj është shprehur se për sulmet që po bëhen ndaj mjekëve, shkaktarë është qëndrimi i familjarëve të pacientëve në ambientet ku ata trajtohen.

“Mendimi im është që problemi qëndron te qëndrimi i familjarëve të pacientëve në ambientet ku merret trajtimi. Ne kemi rekomanduar siç kanë rekomanduar edhe institucionet për qëndrimin e tyre, por nuk po zbatohen rekomandimet tona”, ka shtuar ai.

Sulmet ndaj punëtorëve shëndetësorë janë dënuar disa herë edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.

Me rastin e sulmit ndaj infermierës së Klinikës Infektive, nga SHSKUK i kanë kërkuar organeve kompetente që urgjentisht të marrin masa ndaj sulmuesve të punëtorëve shëndetësorë, pasi që sipas tyre, këto sulme janë shpeshtuar kohëve të fundit.

Përndryshe, sipas statistikave të dërguara nga Policia e Kosovës në Prishtinë janë raportuar më së shumti sulme ndaj zyrtarëve publik, ku gjatë vitit 2020 janë raportuar gjithsej 47 sulme, në Prizren dhe në Pejë janë raportuar nga 16 raste, në Ferizaj dhe Gjakovë nga 12 raste, në Gjilan dhe Mitrovicë të Veriut 11 raste, në Mitrovicë të Jugut 10 dhe në Kaçanik 1.