Lajme

Greqia nuk ndryshon qëndrim për njohjen e Kosovës

Greqia e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja Chryssoula Aliferi, udhëheqëse e Zyrës ndërlidhëse të Athinës në Prishtinë.

Por, pozicioni i Greqisë karshi pavarësisë së Kosovës, “mbetet i pandryshuar”, shtoi Aliferi.

Greqia, tha ajo, mbështet konsolidimin e paqes, demokracisë, stabilitetit, sigurisë, zhvillimit ekonomik si dhe sundimin e ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë sfond, Greqia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Prishtinën, si dhe dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së”, tha Aliferi.

Aliferi po ashtu përsëriti se Athina zyrtare e ka ftuar ministren e re të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvallën për vizitë zyrtare në Greqi dhe se “data për këtë do të caktohet me kohë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me Aliferin më 15 prill, kishte kërkuar që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Greqia është në mesin e pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.