Lajme

Gjysmëvjetori i parë në shkolla përfundon më 18 dhjetor, paralajmërohen masa të reja për fundvit

Kryeministri Hoti ka njoftuar se gjysmëvjetori i parë në shkollat fillore dhe mesme do të përfundojë me 18 dhjetor dhe pushimi do të zgjasë deri më 18 janar.

Ka thënë se vendimi është marrë në dakordim me ministrin e Arsimit, Ramë Likaj

“Kështu do të kemi mundësi që në pranverë ose në qershor të kompensojmë mësimin”, ka thënë Hoti në konferencën për media.

Kjo i bie se gjysmëvjetori i parë do të përfundojë 10 ditë më herët. Ishte planifikuar që të përfundonte më 28 dhjetor, por situata me pandeminë, sipas Hotit, ka ndryshuar planprogramin.

Ndërkohë Hoti ka paralajmëruar edhe masa të reja, që do të merren javën tjetër, si masë mbrojtëse për festat e fundvitit.

“Sa i përket masave në ekonomi. Sipas ministrit të Tregtisë, duhet të shkojmë me zbatimin e masave të deritanishme. Ministria e ka marrë për obligim që me ministrin e Shëndetësisë të takohet me përfaqësuesit e bizneseve për t’u dakorduar për masat e reja, që do të merren javën tjetër për festat e fundvitit”, ka thënë Hoti.