Kosovë

Gjykata Speciale i mban sekret viktimat e krimeve të pretenduara

Specialja u jep mundësi të paraqitjes viktimave të krimeve të pretenduara ndaj ish krerëve të UÇK-së, të dhënat janë sekrete.

Mbi 15 dëshmitarë, kanë dëshmuar kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Dëshmitë e tyre janë përfshirë në aktakuzën që Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, i inkriminon në krime të luftës e krime kundër njerëzimit.

E ditën që është konfirmuar aktakuza, Gjykata Speciale ka lëshuar një njoftim tjetër.

Ata kanë hapur mundësinë, që të paraqiten viktima të krimeve që pretendohet se i kanë kryer ish krerët e UCK-së.

Tani kur janë bërë më shumë se dy javë nga arrestim i Thaçit dhe të tjerëve, T7 ka kërkuar informacione nga Gjykata Speciale për çështjen e viktimave.

Televizioni është interesuar të dijë numrin e kërkesave të parashtruara në Gjykatë, por edhe kjo çështje konsiderohet shumë konfidenciale.

Fillimisht, ata që pretendojnë se janë viktima të krimeve duhet të plotësojnë këtë aplikacion.

E për të marr këtë status, nevojitet një vendim i një gjykatësi të Dhomave të Specializuara.

Sipas Dhomave të Specializuara, të njëjtit mund të marrin pjesë më pas në seanca gjatë gjykimit dhe të kontribuojnë në zbulimin e së vërtetës dhe të mësojnë fakte se çfarë u ka ndodhur atyre apo familjeve të tyre.

Gjithashtu ata gjatë gjykimit mund të tregojnë për vuajtjet e tyre, në mënyrë që gjykatësit të jenë plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin e krimeve.

Ndonëse statusi i viktimave dallon nga ai i dëshmitarëve, nuk përjashtohet mundësia që ata edhe të dëshmojnë.

T7 ka pyetur Dhomat e Specializuara edhe çfarë mund të përfitojnë viktimat e krimeve të pretenduara.

Sipas Dhomave të Specializuara, përfitimi mund të jetë i ndryshëm për secilën viktimë, duke filluar nga dëshira për tu dëgjuar zëri i tyre deri tek dëshira që të informohen për zhvillimet e procedurave.

Por, në rast se të akuzuarit shpallen fajtor, viktimat e krimeve mund të marrin edhe kompensim material.

Deri me tani, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka akuzuar pesë ish pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, gjykatësi ka konfirmuar akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit e ndaj të gjithëve, për të cilët është parashtruar aktakuzë.