Lajme

Gjykata Speciale 22 faqe argumente kundër Thaçit: Abelart Tahiri e Driton Lajçi me para e benefite ndikuan te dëshmitarët

Specialja: Korruptimi i dëshmitarëve, trysnia e zbulimi i hetimeve çuan në paraburgim ish-eprorët e UÇK-së

Në 22 faqe është përmbledhur argumentimi i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar se përse katër ish-eprorët e UÇK-së duhet të mbahen në paraburgim.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Ish-presidenti Hashim Thaçi është përmendur më së shumti nga ta për dyshimet se nëpërmjet personave të tij të afërt, Abelard Tahiri e Driton Lajçi, ka kryer pagesa të korruptuara për dëshmitarët potencialë të Speciales, për ndikim në dëshmitarë, si dhe ofrim të benefiteve dhe dhënie të udhëzimeve para intervistimit.

Veseli së bashku më Thaçin, sipas ZPS-së, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë marrë informata për hetimet që po kryheshin nga Specialja. Ndërkohë, Jakup Krasniqit i janë përmendur qëndrimet publike në rrjetet sociale e Rexhep Selimit ndikimi që, sipas Speciales, ai kishte në hetimet e Policisë së Kosovës

Ndikim të drejtpërdrejtë, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dyshohet se ka ushtruar ish-presidenti Hashim Thaçi në hetimet e këtij institucioni.

Ministria e Drejtësisë, në kohën e deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, ish-bashkëpunëtor i Thaçit, nëpërmjet divizionit për mbrojtje ligjore për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, që deri para një muaji është drejtuar nga Driton Lajçi, sipas Speciales, ka keqpërdorur buxhetin për të ndikuar në hetime.

“Më rishtazi, zyrtarët e Qeverisë, besnikë të Thaçit dhe Veselit, janë vënë në krye të një procesi të pagesave të korruptuara të Qeverisë për dëshmitarët potencialë të Dhomave të Specializuara. Ministri (i atëhershëm) i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e caktoi Driton Lajçin në krye të Divizionit për Koordinimin e Procesit të Mbrojtjes Ligjore dhe Përkrahjes Financiare për të Akuzuarit Potencialë në Gjykimet para Dhomave të Specializuara ( Divizioni) brenda Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në dokument.

Më pas sqarohet afërsia e Tahirit me Thaçin.

“Abelard Tahiri ka punuar ngushtë me Thaçin në role të shumta [E redaktuar]. [E redaktuar]. Pak para se të bëhej kryesues i Divizionit, Lajçi kishte punuar si këshilltar i Veselit dhe e ka njohur Thaçin për mbi 25 vjet, pasi kishte qenë anëtar i këshillit formues të PDK-së së Thaçit më 1999”, thuhet aty.

Këto pagesa, sipas arsyetimit të Zyrës së Prokurorisë Speciale, kryesisht nuk kishin të bënin me pagesa sipas ligjit.

“Nën Lajçin, Divizioni kishte procesuar kërkesat për pagesa të pretenduara “shpenzimeve ligjore dhe të udhëtimit” për të dyshimtit që paraqiteshin para Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndonëse Dhoma e Specializuar tashmë ua mbulon të intervistuarve shpenzimet e tilla”, vazhdon dokumenti.

Këto pagesa, sipas kërkesës së ZPS-së, janë paguar pa kritere.

“Është e qartë se paratë e paguara nga Divizioni nuk jepen mbi bazën e kritereve konsistente dhe kanë pak lidhje me shpenzimet e njëmendta. Për shembull [E REDAKTUAR] pranoi [E REDAKTUAR] në lidhje me intervistën njëditëshe në Hagë. [E REDAKTUAR]. Nuk ka prova që [E REDAKTUAR] kishte aplikuar formalisht në Divizion për mbështetje financiare, para se ta pranonte një pagesë të tillë, përderisa aplikacionet e të tjerëve – disa të intervistuar nga ZPS-ja për disa ditë – ende nuk janë miratuar, edhe pas disa muajsh”, thuhet në dokument.

Ish-kryekuvendari Kadri Veseli përmendet për ndërhyrje më pak se Thaçi. Megjithatë, në 22 faqe argumentim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për arrestimin e katërshes së ish-eprorëve të UÇK-së, dy ish-krerët e PDK-së thuhet se e kanë shfrytëzuar Driton Lajçin për të marrë informata së çfarë po ndodhte në Gjykatën Speciale.

“Thaçi dhe Veseli janë mbështetur te besnikët si Lajçi për të raportuar rreth detajeve të hetimeve të ZPS-së”, pretendon ky institucion.

Dokumenti thekson se ka dëshmi se Thaçi iu hakmor një avokati, klienti i të cilit nuk ishte mbrojtur në heshtje, por kishte pranuar të deklarohej në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Për më tepër pasi [E REDAKTUAR] zgjodhi t’u përgjigjej pyetjeve të ZPS-së, në vend të mbrojtjes në heshtje, ka dëshmi që Thaçi u mundua të sigurohej se avokati që e përfaqësoi [E REDAKTUAR] nuk do t’u caktohej të intervistuarve të tjerë.”, argumentohet nga ZPS-ja.

Media të enjten ka tentuar të flasë më Lajçin e Tahirin, por ata nuk kanë dashur të deklarohen rreth pohimeve të ZPS-së.

Thaçi përmendet si person që u ka ofruar benefite personave që ishin ftuar të intervistoheshin nga Gjykata Speciale.

“Pak më pas, [E REDAKTUAR] u takua me [E REDAKTUAR] dhe i ofroi benefite të ndryshme, [E REDAKTUAR]. [E REDAKTUAR] e bëri të qartë se kjo ofertë bëhej në emër të presidentit [Thaçi]”, është një tjetër pretendim i këtij institucioni.

Në një rast tjetër, një tjetër personi që do të intervistohej nga ZPS-ja, Thaçi sipas këtij dokumenti i kishte përcjellë porosi për t’u dakorduar për atë çfarë do të fliste ai gjatë intervistimit.

“Hashim Thaçi nuk do të kufizohet në përdorimin e Divizionit për t’u siguruar që bashkanëtarët e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale do të mbesin në anën e tij përballë hetuesve të ZPS-së. Ai e rregulloi që [E REDAKTUAR] dhe [E REDAKTUAR] ta kontaktojnë [E REDAKTUAR] në prag të intervistimit të tij nga ZPS-ja t’ia përcjellë “se Thaçi dëshironte ta kontaktonte [E REDAKTUAR] apo t’i jepte disa udhëzime”, thuhet aty.

Ish-eprorët e UÇK-së, Sulejman Selimi e Rrustem Mustafa, po ashtu konsiderohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si pjesë e asaj që ky institucion e quan “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Angazhimin e tyre në institucionet publike, pak ditë pasi ishin ftuar për intervistim në Gjykatën Speciale, kjo prokurori e ka numëruar si arsye pse Thaçi dhe të tjerët duhet të qëndrojnë në paraburgim. Edhe kjo i atribuohet Thaçit.

“Përpjekjet për ndikimin e dëshmitarëve potencialë, përfshirë anëtarët e emëruar të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, kanë përfshirë edhe angazhimin e tyre në pozita në qeveri. Sylejman Selimi doli nga burgu më 25 janar të vitit 2019 dhe atij iu dërgua menjëherë ftesa e Dhomave të Specializuara, më 29 janar. Brenda 72 orësh pasi iu dërgua ftesa, ai u angazhua “këshilltar” i Qeverisë”, thuhet në këtë dokument publik.

Aty janë përmendur edhe pagesat për Selimin e Mustafën.

“Pas një reagimi publik, SELIMI u lirua nga përgjegjësitë e tij, pak pas intervistimit të tij nga Specialja, në shkurt të 2019-s, por jo para se t’i merrte 15.000 euro si pagë, ani që nuk kishte bërë gati asgjë. Në të njëjtën periudhë kohore, anëtari i emëruar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale, Rrustem Mustafa u intervistua nga ZPS-ja, në janar të vitit 2019. Më 14 shkurt, Thaçi e angazhoi si këshilltar me pagë prej 18.000 eurosh në vit – asnjëra prej së cilës shumë nuk u zbulua në publik deri në zbardhjen e saj përmes një raporti të Agjencisë së Kosovës Kundërkorrupsionit”, ka thënë Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Shumë më pak përmendën të akuzuarit e tjerë.

Jakup Krasniqi përmendet për një status publik në Facebook kundër Gjykatës Speciale.

Ndërsa argumentimi për Rexhep Selimin se pse ai duhet të qëndrojë në paraburgim, lidhet me ndikimin që, sipas ZPS-së, kishte ai në Policinë e Kosovës.

“Për më tepër, individët që punuan për Rexhep Selimin implikohen në një tentim [E REDAKTUAR] për vrasje [E REDAKTUAR]. Brenda një ore pas tentim-vrasjes, Selimi tentoi ta thërrasë njërin prej të dyshimtëve dhe Selimi më pas e kontaktoi një polic në Kosovë, duke ia kërkuar ta rimarrë [E REDAKTUAR] që dyshohet të jetë përdorë në tentim-vrasje”, thuhet aty për Selimin.

Citojnë edhe një hetues policor kundër Selimit.

“ Një hetues [E REDAKTUAR] theksoi se “është shqetësim i madh që Rexhep Selimi mund ta thërrasë një polic të Shërbimit Policor të Kosovës në çdo kohë dhe t’i kërkojë ta shfrytëzojë pozitën e tij për sigurimin e provave, që mbase janë përdorur në vepra penale”, është argumentuar aty.

ZPS-ja ka marrë shembull edhe proceset e mëhershme gjyqësore të krimeve të luftës, në të cilat, sipas tyre, janë vrarë, dëshmitarë.

Është përmendur edhe gjuha kërcënuese ndaj Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i Albin Kurtit pas deklaratave të tij për krimet e pretenduara të kryera nga njerëz të UÇK-së.

Mbrojtja e katër të akuzuarve, ndonëse të kontaktuar nga media nuk janë përgjigjur në lidhje me këto pretendime.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë. Ata akuzohen për kryerjen e disa veprave penale që lidhen me krime lufte.