Maqedoni

Gjinekologjia e Çairit ngrohet sërish me mazut, ndotja alarmante

Klinika Gjinekologjike “Nënë Tereza” në Çair edhe këtë dimër do të ngrohet me mazut. Ndonëse kaldaja e vjetër gjysmë shekulli e këtij sistemi të ngrohjes vlerësohet të jetë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit, furnizimi publik i mazutit prej 50 mijë euro tani më është realizuar.

Në reagimin e Aleancës për Shqiptarët thonë se kostoja e ndërrimit të kaldajave për sistem të gazifikimit në këtë klinikë është 150 mijë euro, ose tri vjet sa shuma e mazutit që do të përdoret për ngrohje. Bekim Tateshi tha se zvarritja e tenderit të gazifikimit po helmon qytetarët me ndotje.

Ende pa hyrë mirë në sezonin e dimrit kemi filluar të rangohemi si vendi me ajër më të ndotur në botë dhe kjo Qeveri e udhëhequr nga LSDM dhe BDI as që ka marrë ndonjë masë konkrete për këtë shqetësim serioz. Madje sa i përket ndotjes së ajrit premtojnë projekte gjigante, por njëkohësisht harrojnë se shumica e institucioneve, për të cilat u premtua se do të ndërrojnë sistemin e ngrohjes vazhdojnë që mazutin ta përdorin si lëndë djegëse, edhe atë duke filluar nga Gjinekologjia e Çairit- deklaroi Bekim Tateshi, Aleanca për Shqiptarët.

Nga Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht u zotuan për ndryshimin e sistemit të ngrohje me gaz natyror në Gjinekologjinë e Çairit, Spitalin e Kumanovës dhe atë të Strumicës. Ministri Venko Filipçe së fundmi theksoi se projektet janë të gatshme, kanë hyrë në planin e tenderëve për gazifikimi e tyre që do të fillojnë të realizohen si prioritet pikërisht në këto tre institucione shëndetësore publike.

Ndërkaq, në gjithë vendin janë gjithsej 17 spitale që ngrohen me mazut, tymi i të cilëve emeton grimca enorme PM10 në ajër. Dimrin e kaluar, Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov asokohe i dha kësaj klinike afat 30 ditorë për gjetjen e një zgjidhje ose në të kundërtën do t’i vënin drynin.

Tani nga Qyteti i Shkupit thonë se një masë nuk është e mjaftueshme, premtojnë strategji afatgjate.

Fatkeqësisht çështja e ajrit nuk është problem, i cili mund të zgjidhet me një masë të vetme dhe një masë të shpejtë. Strategjia e institucionit tonë është në përqendrimin e masave afatgjate, të cilat edhe do të japin efektin afatgjatë. Mu për këtë arsye ne tani jemi duke i vendosur bazat e disa masave, me ngritjen e gjelbërimeve, me rregullimin e komunikacionit se këto janë masat e vetme me të cilat mund ta zgjedhim. Kemi qenë dëshmitarë të masave të shkurtra nga administrata e kaluar, të cilat nuk treguar efektin e vet- tha Valon Salihu, Zëdhënës i Qytetit të Shkupit.

Njëra nga masat e Qytetit të Shkupit nuk u prit mirë nga dikush, që gjatë natës i vuri flakën disa kontejnerëve të rinj plastik. Në MPB u raportua për djegien e kontejnerë në Novo Lisiçe, Gjorçe Petrov, Radishan, por ekipet policisë së bashku me inspektorët e ambientit po e hetojnë rastin.

Ndërkaq, nga shoqëria civile kundër ndotjes janë mobilizuar me një peticion “on-line” duke kërkuar anulimin e Ligjit të doganave në fushën e importit falas të mbeturinave, ndryshimin e Ligjit për menaxhimin me mbeturinat të vitit 2004, shfuqizimin e lejeve për përpunimin dhe riciklimin e mbeturinave të hekurit, gomave, plastikave dhe materjeve të tjera të dëmshme për shëndetin e qytetarëve dhe ndotjen e ambientit jetësor.

Adnan Qaili

Loading…