Bota Lajme

Gjermania po e shqyrton ndalimin e shumicës së fluturimeve

Qeveria gjermane është duke e diskutuar zvogëlimin e numrit të fluturimeve drejt Gjermanisë gati në zero në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit.

Lajmin e bëri të ditur ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, për gazetën e njohur.

Ai shtoi se në mesin e masave të tjera që po diskutohen është edhe mbyllja e kufijve ndaj rajoneve ku mutacionet e koronavirusit janë më të përhapura.

“Rreziku që paraqitet nga këto mutacione të virusit kërkon nga ne që t’i shqyrtojmë madje edhe këto masa drastike”, tha ministri Seehofer për Bild-in gjerman.

Këtu përfshihen kontrollet më të rrepta kufitare, sidomos në kufijtë me rajone që paraqesin rrezik të lartë, por edhe pakësim të trafikut ajror drejt Gjermanisë në pothuajse zero, siç po bën tash për tash Izraeli”, shtoi zyrtari i lartë i qeverisë gjermane.

Qeveria gjermane së fundi ka vendosur që ta zgjasë afatin e masave kufizuese për shkak të shqetësimit nga përhapja e varianteve të reja të virusit, të cilat janë shfaqur më shumë në Britani të Madhe, Afrikë të Jugut dhe Brazil.