Lajme

Gjermania konfirmon mbështetjen ndaj Kosovës për sigurimin e vaksinave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot (e hënë) në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përcjell Insajderi.

Ambasadori Rohde e ka uruar kryekuvendarin Konjufca për detyrën e re në krye të legjislativit, duke shprehur mbështetjen e Gjermanisë për institucionet e vendit në arritjen objektivave zhvillimore dhe integruese.  Ai po ashtu ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në luftën kundër pandemisë, si dhe sigurimin e vaksinave anti-Covid.

“Gjermania është financuesi më i madh i vaksinave COVAX, prej nga Kosova tashmë ka pranuar kontingjentin e parë dhe është në pritje të kontigjentit të dytë. Kryekuvendari Konjufca e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e çmuar që Gjermania ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën, përfshirë projekte të shumta zhvillimore në fusha të ndryshme, si dhe ndihmën në përballje me pandeminë Covid-19”, thuhet në njoftimin për medie të Kuvendit.

Kryekuvendari Konjufca dhe ambasadori Rohde biseduan edhe për zhvillimet aktuale politike, duke shprehur përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

“Me këtë rast, ambasadori Rohde i ka dorëzuar Konjufcës edhe një letër-urim të Presidentit të Bundestagut Gjerman, Wolfgang Schäuble, përmes së cilës, veç tjerash, konfirmohet vazhdimi i mbështetjes së Gjermanisë për Kosovën si partnere e besueshme, si dhe gatishmëria e Schäuble për një takim në Berlin me kryekuvendarin Konjufca”, përfundon njoftimi.​/Insajderi.com