Lajme

Gjenerali amerikan thotë se testimi i raketës kineze është shqetësues, e krahason me Sputnikun

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, ka thënë se testimi i dyshuar i një rakete supersonike nga Kina i afrohet momentit të Sputnikut, duke iu referuar lëshimit të satelitit nga Sovjetikët, me ç’rast ishte nxitur gara për armë e Luftës së Ftohtë.

Milley tha në një intervistë për “Bloomberg” se ushtria kineze është duke u zgjeruar shpejt. Gazeta “Financial Times” raportoi për testimin kinez disa ditë më parë, duke i lënë të befasuara Shtetet e Bashkuara.

Në anën tjetër, Pekini ka mohuar se ka kryer ndonjë test raketash, duke thënë se ajo për të cilën u raportua ishte anije kozmike, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Ajo që pamë ishte një ngjarje shumë e rëndësishme e një testimi të një sistemi armësh hipersonike dhe kjo është shumë shqetësuese”, tha Gjenerali Bloomberg.

Nuk e di nëse është goxha si momenti i Sputnikut, por mendoj se është shumë afër atij. E ka tërë vëmendjen tonë”, shtoi ai.

Komentet e tij janë reagimi i parë zyrtar nga Shtetet e Bashkuara për pretendimet se Kina ka kryer dy testime raketash gjatë verës. Raportet sugjerojnë se është testuar një raketë me kapacitete bërthamore, që mund t’iu përvidhet sistemeve amerikane për mbrojtje ajrore.

Raketat hipersonike mund të fluturojnë me shpejtësi pesëfish më të madhe se shpejtësia e zërit dhe janë më të vështira për t’u vërejtur nga radarët.