Kosovë

Gjendja e rrugëve, ministria tregon a janë të kalueshme

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se kompanitë kontraktuese janë duke hedhur kripë dhe rërë në rrugët e vendit, me qëllim të parandalimit të ngritave, raporton Express

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Ministria e Infrastrukturës.

“Në rajonin Prishtina 1 dhe 2 nuk ka reshje të borës dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme, por që me qëllim të parandalimit të ngricave në shtresa qarkulluese, po bëhet hedhja e kripës dhe e rërës në rrugët: N9 Prishtinë-Mutidovë (segmenti Koliq-Mutidovë), N25 QMI-Carralevë (segmenti Shtime-Carralevë) dhe R102 Komoran-Carralevë (segmenti Shalë-Carralevë)”, thuhet në njoftimin e MI’së.

 Po ashtu, është bërë e ditur se rrugët në rajonine  Ferizajt, Gjilanit e Pejës janë kryesisht të kalueshme.

“Në rajonin e Pejës, rrugët të cilat mirëmbahen nga Ministria e Infrastrukturës, janë kryesisht të kalueshme, ndërkaq po aplikohet intervenimi me kripë në rrugët pranë viseve malore. Infrastruktura e rajonit të Ferizajt është krejtësisht e lirë për qarkullim. Edhe në rajonin e Gjilanit nuk ka borë dhe rrugët janë krejtësisht të qarkullueshme. Rrugët në rajonin e Gjakovës po ashtu janë të kalueshme, pa reshje bore, por vende vende me mjegull”, thuhet në njoftim.

MI ka njoftuar edhe për gjendjen e autoudhëve.  

“Mirëmbajtja dimërore e rrugëve po vazhdon edhe në rajonin e Prizrenit, me ç’rast po bëhet shpërndarja e kripës në drejtimin Suharekë-Carralevë. Rrugët janë krejtësisht të lira dhe në gjendje normale edhe në regjionin e Pejës. Autoudhët po ashtu janë krejtësisht të lira dhe pa ndonjë pengesë eventuale për pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor”, bëhet e ditur në njoftimin e MI’së.