Lajme

Gazetari gjerman: Kurti nuk erdhi në pushtet për “Shqipërinë e Madhe”, por për ta reformuar Kosovën

Gazetari gjerman i të përditshmes “Frankfurter

Gazetari gjerman i të përditshmes “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, thotë se Albin Kurti nuk ka ardhur në pushtet për ta realizuar idenë e tij për “Shqipërinë e Madhe”, por për ta reformuar Kosovën.

Ai shprehet i befasuar nga veprimi i shefit të ekzekutivit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, njofton Insajderi.

Martens ka publikuar një artikull me titullin “Ëndrrat e mëdha shqiptare”, duke shkruar se “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të jetë pjesë e zgjedhjeve në Shqipërinë fqinje. Një degë e partisë së tij po lufton për votat dhe ëndërron për një bashkim të të dy shteteve”.

“Vetëvendosje, partia e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nuk u zgjodh për retorikën e tij të Shqipërisë së Madhe. Premtimi për ta reformuar Kosovën ishte thelbësor. Por, Vetëvendosje garon për votat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipërinë fqinje”, shkruan Martens.

Ai në llogarinë e tij në Twitter, thotë se e ka pyetur kryetarin e degës së LVV-së në Shqipëri dhe kandidatin e kësaj partie për deputet atje, Boiken Abazi, se pse mendon që Edi Rama nuk është zgjedhja e duhur për Shqipërinë dhe pse beson se “Shqipëria e Madhe” herët apo vonë do të realizohet.

“Unë e pyeta Z. Abazi vetëm një herë për “Shqipërinë e Madhe”, pasi i gjeta çështje të tjera shumë më të rëndësishme. Por ai vazhdonte t’i kthehej çështjes, duke thënë se politika nuk ka të bëjë vetëm me qeverisjen e mirë, pasi njerëzit gjithashtu kanë nevojë për rrëfime”, shkruan Martens.

Ai tutje shton se shanset e Vetëvendosjes për të fituar vota në Shqipëri (e ndoshta edhe në Maqedoni) mund të shtohen në të ardhmen nëse partia i plotëson pritjet e mëdha në Kosovë./Insajderi.com