Zv ministri i Brendshëm Besfort Lamallari deklaroi mbrëmjen e sotme në studion “Opinion” se krimi i organizuar ka poseduar ngahera pasuri marramendëse, duke hedhur poshtë mundësinë që në ditët e sotme të jetë përshkallëzuar aktiviteti i pastrimit të parave të pisëta.
Megjithatë, gazetari i Mapo-s, Driçim Çaka solli si kundër-argument rënien e ndjeshme të euros përgjatë tre viteve të fundit.
“Mjafton të shihni rënien minimale të euros në vend, për të kuptuar se sa ka agravuar aktiviteti i pastrimit të parave nga grupet kriminale. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë mbi kursin e këmbimit tregojnë se gjatë tre viteve të fundit monedha europiane është zhvlerësuar me 6 për qind kundrejt lekut dhe ky dobësim i euros nuk është i lidhur drejtpërdrejtë me të ashtuquajturit faktorët kryesorë ekonomikë.
Ka patur një rritje rekord të parasë në qarkullim jashtë bankave, që sipas ekspertëve vjen si pasojë e aktiviteteve kriminale, kryesisht nga trafiku i lëndëve narkotike dhe korrupsioni, çfarë ka sjellë dhe mbiçmimin e monedhës vendase në tregun e këmbimit”-tha fillimisht Çaka.
“Pastrimi parave të pisëta ndodh kryesisht përmes sektorit të ndërtimit. Mjafton të shohësh Tiranën dhe Durrësin, që po pushtohen dita ditës nga ndërtesa shumë katëshe”-u shpreh më tej ai.
Etiketa: Besfort Lamallari, Driçik Çaka, euro, krimi i organizuar, reagime, rënie, Shqiperia