Kosovë

Fushata zgjedhore: Përkeqësohet gjendja me pandeminë COVID-19

Të dielën është regjistruar numri më i lartë i të infektuarve me COVID-19 për këtë vit. Nga 2 mijë e 996 testime të kryera, 398 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Kjo rritje e numrit të rasteve është vlerësuar të jetë për shkak të fushatës zgjedhore, ku subjektet politike nuk kanë respektuar masat kundër COVID-19. Ndërsa, numër edhe më i madh i të infektuarve vlerësohet se do të raportohet ditëve në vijim

Kur Kosova nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19 dhe kur varianti i ri anglez i COVID-19 është i pranishëm në vend, fushata zgjedhore mund të ndikojë në përkeqësimin e gjendjes me pandeminë.

Njohës të shëndetësisë disa herë kanë bërë thirrje që subjektet politike gjatë fushatës ta kenë parasysh pandeminë, derisa kanë thënë se përgjegjësia e rritjes së numrit të rasteve të reja të infektuara do të bie mbi ta.

Së fundmi, është parë një rritje e numrit të rasteve të reja të infektuara me COVID-19.

Një gjë e tillës është konfirmuar edhe nga spitalet rajonale.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë për Express se së fundmi në këtë komunë është rritur numri i rasteve të infektuara me COVID-19.

Ai ka kritikuar subjektet politike për mosrespektim të masave gjatë fushatës politike, derisa ka thënë se qeveria në detyrë duhet të bëjë përpjekje për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, për ta stabilizuar gjendjen, pasi mund të ketë rritje të rasteve të infektuara.

“Ka pasur rritje të numrit të të infektuarve, por problemi është edhe që qytetarët kohën e fundit kanë kërkuar teste për shkak të udhëtimeve jashtë vendit, por mund të ketë raste që lidhen edhe me fushatën. Deri të premten ne do ta bëjmë analizën e pastaj do e dimë këtë saktë. Mund të them që gjatë fushatës partitë politike nuk kanë respektuar masat ndaj pandemisë. Ndërsa, nuk ka efekt nëse Qeveria në detyrë nuk bënë përpjekje që ta sigurojë vaksinën për të stabilizuar situatën pasi mund të ketë rritje të rasteve”, ka shtuar ai.

Ismajli ka thënë se aktualisht në këtë komunë 119 raste janë aktive me COVID-19.

Ndërsa, edhe drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka thënë për Express se së fundmi në këtë spital ka pasur një rritje të numrit të pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor si pasojë e infektimit me koronavirus.

Ai ka thënë se momentalisht 30 pacientë janë të hospitalizuar në këtë spital.

“Ka filluar një rritje e lehtë e rasteve të infektuara, por është e përballueshme. Ne kemi 30 pacientë të hospitalizuar sot dhe jemi mobilizuar për ta menaxhuar gjendjen”, ka shtuar ai.

Në të gjitha spitalet rajonale si dhe në klinikat për COVID në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, aktualisht janë të shtrirë 526 pacientë.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka treguar se 370 pacientë janë me oksigjenoterapi, 21 janë në gjendje me të rëndë, 7 në respiratorë dhe 24 në ventilim mekanik.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse ndaj COVID-19, në mënyrë që mos të infektohen me këtë virus.

Derisa, edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat e të qëndrojnë në shtëpi, pasi që numri i të infektuarve vazhdon të jetë i lartë.

Kujtojmë që Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kanë paralajmëruar edhe padi ndaj subjekteve politike për rrezikim të shëndetit të popullatë në rast se do të rritet numri i të infektuarve.