Opinione

Fundi pa lavdi i treshes Mustafa, Veliu, Hoti

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga Gjykat

Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kapi në befasi partinë më të madhe që i prin koalicionit qeverisës, LDK-në. Këtë nuk e tregon vetëm fakti se qeveria Hoti u kacavjerr me thonj deri në momentet e fundit, që kjo të mos ndodhte, por edhe mënyra se si LDK-ja po vepron më pas. 

Ajo ende nuk ka një kandidat për kryeministër për garën elektorale që pritet të mbahet në shkurtin e vitit të ardhshëm. 

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje e ka të njohur prijësin e saj, ndërsa PDK- pas largimit të Thaçit e Veselit drej Hagës, nuk hezitoi të propozonte Enver Hoxhajn, ndërsa AAK që duket se nuk synon kreun e ekzekutivit, ka shpallur Ramush Haradinajn si pretendent për president, në ish partinë e Ibrahim Rugovës ngrenë supet dhe bëjnë të paditurin për njeriun që do i prijë listës për zgjedhjet e ardhshme. Dikush përmend emrin e Ministrit të mbrojtjes Anton Quni, dikush tjetër atë të ish ministrit të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, një tjetër atë të Lutfi Hazirit dhe ndërmjet tyre ka edhe nga ata që vënë në listë kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti. 

I gjithë ky ngurim e ka një shpjegim. LDK e ka të qartë se si është gremisur në sondazhe dhe se çfarë çmimi elektoral ka paguar për formën se si e ngriti qeverinë dhe për mënyrën se si u soll ajo. 

Por, këtë radhë, duket se partia më e vjetër e në Kosovë nuk e ka luksin e dredhisë që përdori me Vjosa Osmanin, duke nxjerrë tjetër figurë që të gënjente votuesit dhe duke fshehur pa kuintave patriarkët që kishin në duar vendimmarrjen. 

Ajo do ta ketë tejet të vështirë ti shfaqet publikut me një profil politik, që nuk ka pasur asnjë rol në aktet e forta të vitit që po mbyllet dhe që nuk jep garanci se do të jetë deciziv në të ardhmen.

Pra, sado të rëndë ta ketë elektoralisht, ajo është moralisht e dënuar që caktojë si bartës të listës Avdullah Hotin. Eshtë ai që duhet të japë llogari për mënyrën se si ka qeverisur që nga qershori i kaluar, që duhet të gjykohet për për prishjen e koalicionit të ‘shpresës” dhe shtrmbërrimin me puç të votës popullore, që duhet të kërkojë miratim për shndërrimin në marionetë të Rik Grenellit, për heqjen dorë, nga reciprociteti, nga qëndrimi për mini- shengenin dhe nga shumë premtime me të cilat LDK-ja kishte kërkuar votën. 

Avdullah Hoti nuk mund ti shmanget gjykimit me zgjedhje për atë foton ku qëndronte si nxënës në zyrën ovale, duke duruar epitetet si përfaqësuesi i një vendi musliman të lindjes së mesme, të përfshirë prej dekadash në një luftë të përgjakshme. 

Ai nuk mund të fshijë kaq lehtë faktin se pranoi që përdorej për hir të fushatës elektorale në SHBA, duke vënë në rrezik interesat e vendit të tij.  

Por, nëse për partinë e tij Avdullai vlen po aq sa për kundërshtarët të cilët prej kohësh ia shqiptojnë mbiemrin me “K”, ai nuk mund të zëvendësohet nga një figurë pa peshë në vendimmarrjen e partisë. 

Nëse LDK do të ndryshojë kandidatin për kryeministër, ajo ka mundësi të luajë vetëm me dy emra, ose me Isa Mustafën ose me Agim Veliun.

Të dy ata, që nuk morën pjesë në zgjedhjet e tetorit 2019, që u fshehën pas Vjosa Osmanit në sloganin “kurrë koalicion me kapsit e shtetit”, u bënë përgjegjësit kryesorë për rrëzimin e qeverisë me Vetvendosjen, që doli nga vullneti i votuesve. Sipas traditës së një partie të madhe në bazë, por me lakej në krye, ata u shndërruan në vegla të Hashim Thaçit, që kishte vetëm një qëllim, fatin e tij personal.

Pra treshja Isa Mustafa, Agim Veliu, Avdulla Hoti, ishte vendimtare në ndryshimin e kursit të LDK-së, në shtrëmbrimin e vullnetit të votuesve të saj, në politikat që u ndërmorën pas 2 qershorit e mbi të gjitha në përjashtimin e Vjosa Osmanit që e kishin përdorur sa për të gënjyer zgjedhësit.

Në këtë kuptim, ata nuk e kanë luksin ti shmangen gjykimit të votuesit nëse kanë vepruar drejtë apo jo.

Pikërisht këtu qëndron edhe ngërçi real i LDK-së. Ajo ka përballë vetëm dy alternativa, që nuk e nxjerrin dot në breg. 

Nga njëra anë e kupton se çdo të thotë të kërkosh votën në publik duke shndërruar në ikona të fushatës puçistët e kastës së vjetër. Pak kush do tu’a falte dredhinë që organizuan.

Nga ana tjetër, është e ndërgjegjshme se nuk mund të luajë sërisht të njëjtin film, atë të emërtimit të një kandidati të panjollosur, por që nuk ka asgjë në dorë për vendimet e të ardhmes. Këtë herë vështirë se fabula do të kapërdihej prapë.

Prandaj partia e vjetër e Rugovës është në udhëkryq dhe e ka vështirë të emërojë një kandidat për kryeministër. Pasi çdo alternativë e ka përdorur deri në palavdi. Pasi çdo zgjedhje e përball me kulisat dhe dredhitë që ende te gjithë i kanë të frekëta në kujtesë.