Bota Lajme

“Fundi i një epoke”, partia e Merkelit në “rënie të lirë”, tregon sondazhi

Sipas një sondazhi të publikuar të mërkurën, përkrahja për konservatorët e kancelares Angela Merkel ka rënë 3 për qind vetëm për një javë, që paraqet përkrahjen më të ulët në më shumë se një vit, ndërsa Të Gjelbrit shënuan rritje dhe ndodhen vetëm 4 për qind më poshtë.

E përballur me zgjedhje të ëprgjithshme në shtator pa Merkelin, e cila do të tërhiqet pas katër mandateve, Partia Kristian-Demokrate dhe partia simotër, CSU-ja Bavareze, kanë rënë në 26 për qind përkrahje, sipas sondazhit të kryer nga Forsa.

Pas pakënaqësive të opinionit rreth menaxhimit që qeveria ia ka bërë krizës së koronavirusit, aleanca konservatore pësoi rënie të përkrahjes për 9 për qind vetëm për një muaj. Ky nivel i ulët nuk është parë që nga fillimi i marsit i vitit të kaluar.

CDU-ja e Merkelit pësoi humbje historike në zgjedhjet rajonale në dy shtete këtë muaj. Në këtë humbje ndikuan shpërndarja e ngadalshme e vaksinave për Covid-19 dhe zgjatja e masave kufizuese. Ndikim pati edhe një skandal për blerjen e maskave.

Përkrahja për Të Gjelbrit u rrit për 1 për qind dhe shkoi në 22 për qind, ndërsa Partia Socialdemokrate mbeti me përkrahjen e njëjtë – 16 për qind. Partia e Demokratëve të Lirë shënoi rritje për 2 për qind.

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, dhe partia e së majtës ekstreme, Linke, nuk shënuan as rënie, as rritje të përkrahjes. E para mori 10 për qind përkrahje, ndërsa e dyta 8 për qind.