Maqedoni

Fuere: Të ruhet fryma e Marrëveshjes së Ohrit

Marrëveshja e Ohrit i ka përballuar sfidës së k

Marrëveshja e Ohrit i ka përballuar sfidës së kohës por fryma e saj duhet të ruhet edhe më tej, vlerëson ish ambasadori i BE-së në Shkup Ervan Fuere. Në një intervistë për Alsat, Fuere thotë se duhet të zbatohen politika në interes të të gjithë shoqërisë dhe jo vetëm të një grupi të caktuar etnik. Ai këtu përmendi punësimet në administratë si dhe një arsim të integruar multikulturalist. Sa u takon marrëveshjeve të vendit të periudhës së fundit, Fuere tha se është i befasuar që Shkupi dhe BE-ja nuk siguruan reciprocitet në çështjen me Bullgarinë.

– Z. Fuere, mirë se vini në këtë intervistë. 21 vjet kanë kaluar që nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Si e shihni këtë marrëveshja nga perspektiva e sotme?

“Mendoj se është një kujtim i rëndësishëm që Marrëveshja e Ohrit solli paqen dhe fundin e një konflikti të armatosur në Maqedoni dhe gjithsesi krijimin e një kornize për stabilitet, për institucione demokratike dhe decentralizimin e pushtetit në një kohë kur vendi tashmë ishte i etur të tregojë kredencialin e tij evropian dhe dëshirën për të qenë pjesë e procesit eurointegrues. Marrëveshja Kornizë e Ohrit po ashtu vendosi një shembull për rajonin i cili ishte akoma nën kërcënimin e konflikteve ndëretnike dhe tensioneve ndërshtetërore në atë kohë. 20 vjet më vonë, unë do të thoja se marrëveshje definitivisht i përballoi sfidës së kohës pavarësisht shumë pengesave të hedhura në rrugën e saj, sidomos gjatë qeverisjes së drejtuar nga Gruevski, me qasje e tij tejet të centralizuar ndaj pushtetit dhe mungesën e dialogut politik. Por në të njëjtën kohë, ka akoma shumë punë për t’u bërë për të qenë të sigurt që fryma e marrëveshjes respektohet plotësisht”, u shpreh Fuere.

– A mund të na thoni se në çfarë pozite është sot Maqedonia e Veriut si pasojë e Marrëveshjes së Ohrit, sa u takon marrëdhënieve ndëretnike?

“Ka një numër fushash të cilat janë të rëndësishme dhe ku duhet më shumë punë. Kjo është gjithashtu e rëndësishme në kuptimin e reformave për integrimin në BE. Në fillim do të përmendja administratën publike. Siç dimë, përfaqësimi i drejtë etnik ishte një aspekt i rëndësishëm i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit por mendoj se ka shumë tendenca deri në pikën ku njerëzit punësohen kryekëput në bazën e etnicitetit të tyre dhe jo në bazën e ekspertizës dhe kompetencës së tyre. Kjo çon në ndikim politik të vazhdueshëm në administratën publike dhe një ambient jo të mirë dhe jo të shëndetshëm. Mendoj se kjo duhet të zgjidhet. E dyta, në fushën e edukimit duhet të bëhet më shumë për t’u promovuar një qasje e integruar multikulturaliste. Kjo është e rëndësishme për ndihmuar dhe për të promovuar një besim më të madh mes komuniteteve të ndryshme, veçanërisht në nivel lokal. Mendimi im është se ka akoma shumë për t’u bërë në kuptimin e përforcimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe gjithashtu promovimin e pajtimit në nivel lokal. Ndoshta, një demonstrim i një hapi përpara do të ishte kur qytetarët në zgjedhje do të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre jo në bazën e grupit etnik nga i cili vinë por mbi bazën e asaj se çfarë ata propozojnë si zgjidhje për sfidat dhe nevojat e shumta të shoqërisë në përgjithësi. Dhe në këtë drejtim mendoj se partitë politike duhet të bëjnë më shumë për të promovuar politika që janë në përfitim të të gjithë shoqërisë në Maqedoni dhe jo vetëm të grupit të tyre etnik”, tha Fuere.

– Tani kemi gjithashtu Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Si i shikoni këto dy marrëveshje duke marrë parasysh se kanë shkaktuar ndasi në opinionin publik dhe mes partive politike këtu në Maqedoninë e Veriut?

“Këto ishin pilula të vështira për t’u gëlltitur nga qytetarët maqedonas dhe mendoj se kjo e dëshmon vendosmërinë e qytetarëve dhe të vendit për të ndjekur dhe për të arritur synimet kryesore politike. Shumë do të varet nga zbatimi dhe se si BE-ja do t’i qaset kësaj duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë sepse fatkeqësisht ne kemi parë se sa i takon zbatimit, Bullgaria është sjell më shumë si pushtet kolonial sesa si anëtare e BE-së. Duhet të them se jam pak i befasuar, për shembull, për detyrimin e qeverisë për të bërë ndryshime kushtetuese për të pranuar ekzistencën e komunitetit bullgar në shtet. Jam i befasuar që nuk ka rezistencë nga ana e qeverisë për të siguruar reciprocitet për këtë çështje sepse ne të gjithë e dimë se Bullgaria vazhdon të refuzojë të njohë dhe të zbatojë vendimet e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut që kanë të bëjnë me njohjen e komunitetit maqedonas në Bullgari. Prandaj, kjo do të mbetet një çështje përçarëse për shoqërinë maqedonase dhe kjo është e kuptueshme. Gjithashtu edhe çështja që tani disa pjesë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë janë pjesë e kornizës negociuese dhe unë mendoj se vërtetë kjo krijon një situatë të re të paprecedentë në procesin e zgjerimit. Pikërisht për mungesën e reciprocitetit për njohjen e komuniteteve në Maqedoni dhe në Bullgari mendoj se është e turpshme që BE-ja ka lejuar kjo të ndodhë sepse çfarë është qëllimi të këtë një Gjykatë nëse vendimet e tij nuk respektohen”, shtoi ai.

– Z. Fuere, a është Maqedonia e Veriut e vlerësuar drejt nga BE-ja për arritjet e saja, reformat dhe raportet ndërfqinjësore?

“Definitivisht, BE-ja është shumë e vetëdijshme për atë se çfarë është arritur nga vendi dhe shpresojmë që procesi i zgjerimit do të jetë një prioritet në agjendën e BE-së dhe që BE-ja do ta ndihmojë Maqedoninë të adresojë sfidat e ardhshme që ka përpara”, deklaroi Fuere, një intervistë për Alsat./Alsat.mk