Opinione

Fryni era u çel taraba!

Këtë shkrim po e fillojë me një tregim nga koha

Këtë shkrim po e fillojë me një tregim nga koha jo shumë  e largët e sistemit komunist. Eskorta e pushtetarëve lokal e përzier nga të gjitha nacionalitetet ishin nisur me makinë nga Gjakova për një aktivitet politik në qytetin e Pejës. Gjatë rrugës, diku në mes të fshatrave të Deçanit, njërit prej politikanëve ia ngacmojnë syrin thuprat e njoma, të drejta dhe të lëmonjta, me ç’rast ju drejtohet shokëve në makinë; “ah po të mira qenkan këto thupra për kosha”!

Pavarësisht profesionit, pasioni i vjetër nuk harrohet kurrë

Siq duket nostalgjia për të luajtur rolin e opozitarit e ka shtyrë Albin Kurtin që të bëjë fushatë opozitare në Shqipëri!

Edhe pse tani në detyrën e kryeministrit, Albin Kurti po e ka të vështirë të lirohet nga pasioni i opozitarit, për të protestuar dhe kundërshtuar çdo proces demokratik!

Se a është kjo shprehje e lartë e patriotizmit apo tendencë e shtrirjes gjeopolitike të Vetëvendosjes në trojet etnike mbetët të shihet në të ardhmen e afërt!?

Pavarësisht përgjigjes në këtë pyetje, ndërhyrja e paligjshme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në fushatën zgjedhore në Shqipëri nuk është sinjal i mirë për të ardhmen e dy shteteve tona!

Ndryshe, ndërhyrja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet në Shqipëri është legjitimim i ndërhyrjes së Serbisë gjatë fushatave zgjedhore dhe legjitimim i shkeljes së sovranitetit të Kosovës nga Serbia!

Si do t’i përgjigjën “patriotët” e LVV-së ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet në Kosovë!? 

Do ta pranojnë si legjitime apo do ta trajtojnë si ndërhyrje në punët e brendshme, do ta pranojnë si veprim të ligjshëm apo do ta konsiderojnë si cenim sovraniteti ndaj shtetit të Kosovës!?

Jo vetëm që është e pa drejtë dhe e pahijshme, është edhe skandaloze bërja fushatë elektorale e një kryeministri në një shtet tjetër sovran!

Përfshirja e kryeministrit të Republikës së Kosovës në çështjet e brendshme të shtetit tjetër, është përzierje e padrejtë në procesin zgjedhor në shtetin e pavarur dhe sovran shqiptarë!

Kjo çasje e gabuar e kryeministrit Kurti ka dëmtuar marrëdhënjet ndërvëllëzërore dhe ndërshtetërore, për çka, pas zgjedhjeve të 25 prillit, Albin Kurti si kryeministër i vendit do ta ketë tepër të vështirë të krijojë raporte mirëbesimi me cilën do parti që i fiton zgjedhjet në Shqipëri!

Largimi nga problemet e shumta në shtetin që drejton dhe marrja me problemet zgjedhore të shtetit tjetër, përveqse papërgjegjësi dhe miopi politike, e shpërfaq patriotizmin e shfrenuar të Albin Kurtit kundër të gjithëve që mendojnë ndryshe nga ai!

Zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë nuk janë dhe nuk do duhej të ishin prioritet i ‘Qeverisë Kurti’, por duhet të jetë shëndeti dhe jeta e qytetarëve në Republikën e Kosovës!

Mosmarrja me mijëra probleme vendore dhe injorimi i thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel, mund ta çojë Albin Kurtin drejt rënjes së dytë si kryeministër i vendit.

Shumë shpejtë mund të harrohet rënja e parë e Albin Kurtit me 26 % të votave, kur të bie nga lartësia e pushtetit me mbi 50 % të votave të qytetarëve!

Reagime të shumta, mungon reagimi i listës “Guxo”!

Përfshirja e kreut të qeverisë së Kosovës dhe liderit të LVV-së, Albin Kurtit në fushatën zgjedhore në Shqipëri ka nxitur reagime të shumta të partive opozitare në Kosovë dhe spektrit të gjerë politik dhe mediatik në Shqipëri.

Të gjitha ballinat e mediave shqiptare janë mbushur me lajme për fushatën dhe protestat e LVV-së në Shqipëri, të cilat ndër të tjera njoftojnë edhe për dhjetëra aktivist të arrestuar të këtij subjekti politik gjatë protestave të dhunshme në disa qytetete të Shqipërisë. 

Mjafton të lexosh vetëm titullin e një shkrimi në një gazetë shqiptare për të kuptuar efektet negative të politikës së gabuar të Albin Kurtit: “E paprecedente-ministrat e Albin Kurtit dhe aktivistët e Vetëvendosjes dynden si pushues në Shqipëri për fushatë dhe protesta!”

Përderisa të gjitha mediat vendore dhe shoqëria civile në Shqipëri dhe Kosovë e kanë kundërshtuar ashpër fushatën e Albin Kurtit në Shqipëri, këtë nuk e patën guximin ta bëjnë partnerët apo neoalbinistët nga e ashtuquajtura “Lista Vjosa”!

Ku mbeti sllogani “GUXO” i “Listës Vjosa” për ta kundërshtuar fushatën e paprecent, të padrejtë dhe skandaloze te kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Shqipëri!?

Guximtarët nuk heshtin, ata e ngrisin zërin në çdo kohë kundër së keqës! 

Heshtja e guximtarëve është pak më tepër se nënshtrim, është mjerim!

E nisa shkrimin me një tregim, po e përfundojë me një strofë të një kënge të improvizuar;

Fryni era u qel taraba!

Fryni era n’jug,

u qel n’veri taraba,  

hajde hajde Albin aga,

kush do t’ia mshel Vuçiqit tarabat, 

kur t’ia msyn Kosovës,

me treqind harambasha…