Shqipëri

Foto nga vendi i ekzekutimit/ Fqinji: Biznesmeni ishte njeri shumë punëtor

E rrethuar me shiritin ‘skenë krimi, ky është vendi ku u ekzekutua kushëriri i kryebashkiakut të Himarës. Siç shihet në këto pamje, ky është supermarketi në pronësi të motrës së tij, pranë së cili u vra 51-vjeçari. Si pasojë e të shtënave me armë, u plagos edhe motra e tij, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në pamje shihet edhe një makinë, por nuk dihet nëse i përket viktimës.

Fqinji e përshkruan biznesmenin e ekzekutuar, Niko Goro si një njeri shumë punëtor dhe i rregullt, duke thënë se mbeti i tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në mes të ditës. Sipas tij, Goro nuk kishte konflikte.

“E njihnim, e kam komshi. Nuk kishte konflikte, ishte i pastër punonte në rregull, të tronditur, në mes të ditës, skandal. Ka një vit që është ndërtuar. Autori nuk e njihja. Nuk di gjë”, tha fqinji.

Gjithashtu uniformat blu njoftojnë se përveç kallashnikovit me të cilin ka ekzekutuar biznesmenin në Himarë, 53-vjeçarit Kliti Leka i është gjetur edhe një armë tjetër tip pistoletë.

“Në lidhje me informacionin e dhënë për kapjen e autorit të vrasjes në Himarë si dhe për gjetjen e armës kallashnikov, ju informojmë se: Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të automjetit kanë gjetur dhe një tjetër  armë zjarri  të tipit pistoletë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin se me cilën prej armëve të sekuestruara, autori ka kryer krimin”, njofton policia.