Kosovë

Firma të cilën e këshillonte Lushtaku, pret t’i fitojë 195 mln euro nga shteti në Arbitrazh

Investitori i vetëm i huaj në sektorin e mermerit në Kosovë, Fox Marble, shpreson se brenda një viti e gjysmë do të marrë epilog final kontesti me shtetin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Abritrazhit.

Kompania britanike, e cila e ka dërguar Republikën e Kosovës në Arbitrazh me kërkesën për kompensim të dëmit në vlerë prej 195 milionë euro, ka angazhuar një nga studiot më të mëdha ligjore në botë për të përfaqësuar atë në këtë kontest.

Në një njoftim të publikuar në uebfaqen zyrtare të kompanisë javën e kaluar, Fox Marble ka bërë të ditur se ka angazhuar shërbimet e studios ligjore “Dentons CS Europe LLP” për rastin e Arbitrazhit.

“Fox Marble, kompania e përqendruar në guroret e mermerit në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit, është e lumtur të njoftoi se ka angazhuar shërbimet e Dentons CS Europe LLP (“Dentons”) për të vepruar në emër të kompanisë në pretendimet e saj prej 195 milionë euro kundër Republikës së Kosovës, të shpallur më 4 shtator 2019″, thuhet në njoftimin e Fox Marble.

“Dentons Europe kanë rënë dakord për një marrëveshje e cila i mundëson Fox Marble ta shtyjë rastin e Arbitrazhit deri në përfundimin e saj”.

“Dentons CS Europe LLP” është njëra nga studiot më të mëdha ligjore të botës në fushën juridike, me numrin më të madh të të punësuarve. Po ashtu, kjo firmë ligjore është e gjashta në botë për nga të hyrat financiare.

Christopher Gilbert, drejtori ekzekutiv i Fox Marble Holding PLC., ka thënë se kompania ka besim se do ta fitojë rastin ndaj shtetit të Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Ne kemi besim në fuqinë e rastit dhe në aftësitë tona për të fituar kontestin, të cilin shpresojmë ta bëjmë brenda një periudhe prej 18 muajsh”, ka thënë Gilbert në një intervistë për mediumin britanik Proactive.

Historiku i kontestit mes Fox Marble dhe Republikës së Kosovës ka nisur më 4 shtator 2019, kur kompania britanike nisi procedurat e arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës në vlerën prej 195 milion €, si rezultat i dështimit të shtetit për të mbrojtur të drejtat e Fox Marble mbi Guroren e Maleshevës.

Fox Marble beson se Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje të përgjegjësive të saj ndaj kompanisë si investitor i huaj në Kosovë.

Në shtator të vitit 2019, Insajderi kishte zbuluar se pjesë e kompanisë Fox Marble është edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku, asokohe i kishte thënë Insajderit se ka ndihmuar kompaninë britanike në rastin e kontestit që ajo ka pasur mbi guroren e Maleshevës. Ndërkaq, Chris Gilbert kishte thënë se Lushtaku është “këshilltar i besueshëm” i kompanisë.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kishte deklaruar për Gazetën Insajderi se ai nuk ka vendosur për dërgimin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndonëse kishte paralajmëron institucionet e Kosovës se kanë penguar investimet e kompanisë britanike.

“Unë i kam paralajmëruar institucionet e Kosovës se kompania angleze ka investuar në Kosovë dhe se ata janë duke i penguar investimet e saj në Kosovë. Kompania është e Fox Marble dhe ajo ka të drejtë; këta e kanë zhvatur ‘Foxin’ – Naim Rrustemi, se tjetër kënd nuk njoh”, kishte thënë Lushtaku.

“Ata [firma Fox Marble Holdings, v.j] më kanë thirrur dhe më kanë thënë që ne jemi të pafuqishëm në Kosovë, do të thotë ligjet në Kosovë janë në dëm të kompanisë dhe se ata janë të detyruar ta dërgojnë çështjen në Arbitrazh”.

Insajderi ka tentuar të kontaktojë sot me Lushtakun për të sqaruar pozicionin e tij aktual në Fox Marble, por ish-kreu i Skenderajt ka qenë i paçasshëm në numrin e tij të telefonit.