Bota Shëndetësi

Finlanda shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të infeksioneve në rritje

Qeveria finlandeze ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si shkak i rritjes së infeksioneve të koronavirusit.

Kryeministrja Sanna Marin javën e kaluar kishte marrë një vendim në parim për shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme, njoftoi gazeta Helsingin Sanomat.

Arsyeja kryesore e vendimit është se restorantet nuk mund të mbyllen sipas Aktit aktual të Sëmundjeve Infektive, raporton The Guardian.

“Qeveria e sheh të nevojshme që të gjithë të kemi më pak kontakte”, tha kryeministrja Sanna Marin në një konferencë për shtyp. “Të gjithë tani kanë mundësinë të ndikojnë në atë se si do të jetë pranvera dhe vera”.

Disa rajone finlandeze kanë parë një rritje të shpejtë të infeksioneve Covid-19 në dy javët e fundit, me shpërthime midis skiatorëve në Lapland dhe punëtorëve në kantieret e transportit dhe vendet e ndërtimit.

Finlanda është ndër vendet evropiane më pak të prekura nga virusi, deri më tani ka regjistruar 58,064 raste dhe 742 vdekje që nga fillimi i pandemisë, me 210 persona aktualisht të shtruar në spital.