Lajme

Fillon seanca për shkarkimin e presidentit Meta, akuzohet për 16 shkelje kushtetuese

Në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur rreth orës 10

Në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur rreth orës 10:00 seanca për të votuar shkarkimin e presidentit të republikës, Ilir Meta, shkruan Insajderi.

Kreu i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni prezantoi para deputetëve raportin për shkarkimin e presidentit Meta, raport i cili siç tha se i është dërguar edhe kreut të shtetit dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

Komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e Metas gjatë zgjedhjeve të 25 prillit i ka konsideruar “shkelje të rënda” qëndrimet dhe deklaratat e shprehura prej tij.

Në raportin përfundimtar prej 96 faqesh, thuhet se “Presidenti shkeli 17 nene të Kushtetutës” dhe se “këto shkelje konsiderohen nga komisioni si shkelje të rënda”.

Para nisjes së seancës së sotme, Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar.

Shumicës socialiste i duhen 94 vota për ta larguar presidentin Meta nga detyra përpara përfundimit të mandatit.

Ndërkohë, kreu i shtetit e ka cilësuar Kuvendin që do të mblidhet për shkarkimin e tij “antikushtetues”.

Në një deklaratë për mediat nga Elbasani pak ditë më parë Meta theksoi se “Kuvendi është tre herë më antikushtetues”, ndërsa apeloi që “të hetohen krimet zgjedhore”.

“Zoti i faltë ata që nuk dinë se çfarë bëjnë dhe t’i udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës së përbashkët”, u shpreh Meta./Insajderi.com