Kult

‘FESTIVALI I LETËRSISË SË RE’/ Agim Baçi: Autorët e rinj? Dua të gjej letërsi pa mbiemër

Fatmira Nikolli – Një aktivitet që përmbyl

Fatmira Nikolli – Një aktivitet që përmbyll një fazë aktivitetesh për tetorin e librit, që është muaji i letërsisë. Dialogu përmes librit është i rëndësishëm për kulturën e një vendi”. Kështu e hapi Alda Bardhyli, festivalin dy ditore të letërsisë së re shqipe, duke nënvizuar se festivali synon të kthehet në traditë, duke folur e dialoguar për problemet e vokacionet e kësaj letërsie. Botues, shkrimtarë edhe studiues të letërsisë shqipe u bënë bashkë për të diskutuar mbi “Sfidat e autorëve të rinj në tregun e librit” në Muzeun Historik Kombëtar. Në vijim, ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se “këto takime në i bëjmë enkas për ju”, duke ju drejtuar të rinjve. “Mendojmë që problematikat e librat janë të shumta, ndërgjegjësimi drejt leximit, leximi i zhanreve të ndryshme, por mbi të gjitha ato që kemi pasur në vëmendje këtë muaj ka qenë leximi në gjuhën shqipe, ‘lexo shqip’ ka qenë motoja jonë këto muaj. Më vjen mirë që në çdo takim kanë qenë të rinj të pranishëm dhe më vjen mirë që sforcot tona nuk po shkojnë kot”,-tha ministrja duke kujtuar thirrjen ‘lexo, gjej, dhuro’. Ministrja tha se duke qenë se ky festival flet për autorët e rinj, duhet të jetë jo vetëm traditë, por duhet të jetë fokusi i ministrisë dhe poltikave afatgjata.





Për botuesen Arlinda Dudaj festivalet janë për të rinjtë, sepse shpesh kanë munguar. “Ne thjesht po e hapim festivalin, por uroj që ju të vazhdoni. Nëse flitet për letërsinë bashkëkohore duhet të them se një nga gjërat që më ka ndihmuar shumë ka qenë mbushja e këtij boshllëku. Kishim shumë letërsi të përkthyer nga përkthyes të mrekullueshëm në vitet 2000, si përkthimi dhe veprat, por ishin vepra të së shkuarës. Kishte shumë pak autorë të letërsisë bashkëkohore, është ajo që flet për sotmen duke bërë përballjen me të shkuarën”, tha ajo.

LETËRSIA SOT, DEBAT BREZASH
Autori i ri, Loer Kume tha se “e vetmja formë arti që ndryshon botën është letërsia. Në letërsinë shqipe jemi shumë pak dhe ndikimi që ka letërsia është i pakët. Secili nga ju ka plot gjëra për të treguar. Do bëja gjithçka që brenda brezit tuaj të dalin sa më shumë shkrimtarë. Secili nga ju mund të jetë një shkrimtar i madh potencial”, tha ai dukej ju drejtuar të rinjve.
Ndërsa, Brajan Sukaj, fitues i çmimit të vjetshëm të Panairit të librit u ndal te rëndësia e letërsia si vend kujtese. “Librat janë të rëndësishëm për kujtesën. Për mua letërsia është një mënyrë për të komunikuar me botën, për të përcjell mesazhet që kam, por nuk është parësore, është dytësore për shkak të mundësive që ofron tregu. Një promovim më i madh për autorët shqiptarë do të ndihmonte, që librat tanë të shkojnë tek lexuesi. Pasi mendoj se ka autorë të rinj, që premtojnë”, tha ai.

Por shpesh letërsia për t’u konfirmuar duhet të përballet edhe me një debat mes brezash.
Për kritikun e letërsisë, Agim Baçi, rëndësia e librit përmblidhet më së miri nga Borgesi. “Në të gjitha shpikjet e njeriut, libri është më i madhi- është zgjerim i kujtesës e imagjinatës. Njoh të gjithë këta që janë këtu dhe ata që janë jashtë. Meqë Brajani foli për letërsinë e kujtesës, dua të them se në letërsi, nuk i ka ikur koha diktaturës. Ajo mund të trajtohet më mirë pas 10 vitesh. Nuk është vetëm fabula. Një libër i mirë është një libër i shkruar mirë. Ju mund të lexoni gjithë botën e ta bëni njëkohësisht me të huajt, jo si brezi ynë që nuk i lejohej. Nuk ka prerje se çfarë është bashkëkohor, bashkëkohor është libri që ju bën të mendoni e të bëni pyetjet e duhura. A janë sot shkrimtarët e rinj të aftë ta çojnë letërsinë kudo? Do doja që kur flasim për letërsinë të kemi parasysh këtë”, tha ai.
Në përgjigje, Arlinda Dudaj tha se “bashkëkohore është ajo letërsi që flet për problemet e tanishme. Por, a ka shkrimtarë shqiptarë që na flasin për të sotmen tonë siç flet një shkrimtar spanjoll e italian për Spanjën e Italinë?”, e mbylli ajo.
Ndërkaq, kuratorja e festivalit Alda Bardhyli, vërejti se kjo festë hapjeje e festivalit, do të donte të ishte një lloj dialogu për letërsinë.

KË KENI NË MENDJE
Kë keni në mendje kur shkruani? Cilin lexues? Cilin publik? Kritiku Agim Baçi i vë para kësaj pyetjeje shkrimtarët e rinj, Tobias Xhaxhi, Enkelejd Lamaj dhe Loer Kume.
“S’e kam menduar ndonjëherë. Lexuesi im janë brezat nga unë e pas meje. Hesapet e mia letrare përpiqem t’i kem me të rinj”, tha Kume.
Ndërsa Enkelejd Lamaj u përgjigj: “Çfarë dua unë? Një nga qëllimet e mia është ta frikësoj”.
Në përgjigje të së njëjtës pyetje, Tobias Xhaxhiu tha se “do të ishte mirë që letërsia që bëj, që lidhet me historinë e etnosin të përqafohej nga ata që janë studiues. Nuk e di nëse ka një vepër letrare e fuqishme që e ka trajtuar komunizmin”.
Agim Baçi ju përgjigj me emrat e atyre që kanë shkruar për komunizmin. “Ylljet Aliçkaj, Bashkim Shehu, Gazmend Kapllani kanë shkruar në letërsinë e tyre edhe për komunizmin. Unë besoj se brezat e rinj do ta njohin njeriun e diktaturës përmes letërsisë. Nuk e kanë qëllim në vetvete por e bëjnë. Besoj se janë lexuesit që e ridimensionojnë librin”, tha Agim Baçi.

Sipas tij, njeriu nuk e shmang dot të shkuarën e traditën e vet. “Kur e lexoj letërsinë shqipe, unë nuk dua ta kuptoj vetëm unë që e njoh historinë, por dua ta lexoj e ta kuptoj siç kuptoj shkrimtarët e botës. Letërsia e madhe është ajo që i bashkon dhe i bën njerëzit të mendojnë. Duhet të jetë letërsi pa nevojë për mbiemra, letërsi shqiptare a letërsi e huaj. A e mendojmë këtë lexues që ridimensionon letërsinë? Unë dua ta dalloj si mirëfilli letërsi, se përndryshe do lexoja memuaristikë”.
Të pyetur se sa e lexojnë letërsinë shqipe autorët e rinj, ata dhanë emrin e Kutelit, Petro Markos e Kadaresë.

NEVOJA PËR DEBAT
Agim Baçi tha se është e vërtetë që kemi nevojë për më shumë debat. “Realisht e ndjej të nevojshme që letërsia ka nevojë për debat më të madh se ndihmon autorët dhe vë në shina autorët. Brezi im, vinim nga një bllokim i madh dhe sekush botonte libër. E kemi takuar këtë fazë. Ata që merren me letërsi duhet të kemi parasysh jo ata që njohim por një lexues më gjerë. E kam për zemër të lexoj e të flas autorë të rinj. Të kërkojnë të vërtetën dhe e ke armik. Kritika është pasojë, letërsia është shkak. Nëse shkruani, kemi të drejtë të kërkojmë llogari”, tha ai. Sipas Baçit, “ne vijmë nga një shkollë ku ose të shaja se të kisha armik ose të lëvdoja se të kisha mik dhe kështu e vazhduam. Nuk ka lexime përfundimtare të një libri. Unë s’kam ndërmend të jap leximin e fundit. Sa herë e lexon të jep diçka tjetër. Libri është sa herë lexohet. Letërsia pa këshilltarët e mirë nuk bëhet. Çdo përpjekje e autorit për të sqaruar veten është dështim”,-tha ai.