Lajme

Fermeri që në fundjava vishet me fustane grash dhe taka të larta nëntë centimetra

Fermeri 76 vjeçar, Beat Zimmermann nga Eggenwil

Fermeri 76 vjeçar, Beat Zimmermann nga Eggenwil në Zvicër jeton dy jetë njëkohësisht. Në të njëjtën kohë është fermer që mund të flasë për orë të tëra pareshtur për pemët dhe lepujt e tij, por gjatë vikendeve ai ka një tjetër personalitet. Ai pëlqen të veshë rroba grash dhe të dalë për shëtitje.

“Blick”, trokiti në derën e të moshuarit, i cili nuk ka një telefon dhe pranoi të jepte një intervistë, njofton Insajderi.

Madje ai u përgatit enkas për rastin, dhe priti ekipin i veshur në një fustan pranvere në personalitetin e tij të Beatrisës – ashtu i kanë lënë emrin.

“Për shkak të Coronës nuk mund të dal në lokal për momentin. Nuk vishem për të qëndruar në shtëpi”, shpjegoi ai.

Siç thotë ai, “kapriço” e tij filloi dy dekada më parë. “Në fillim vishja rrobat vetëm për karnavale”.

Për më tepër, fermeri ishte i martuar me një grua, dhe pohon se bashkëshortja e tij, Theres nuk e kishte problem veshjen. Asaj i pëlqeu dhe Zimmermann e quante këtë si një ‘lojë romantike’.

Më parë, burrat në rroba grash ishin një tabu e madhe krahasuar me sot kujton ai, “Sot mund të shkoj ku të dua veshur me rroba grash”.

Funde, bluza dhe take të larta ka me bollëk në shtëpinë e vjetër të fermës. “Nuk kam veshur kurrë rrobat e bashkëshortes sime. Shumicën i kam porositur në një katalog.

Fermeri është një adhurues i madh i takave të larta, “Disa nga takat e mia janë të larta deri në 9 centimetra”.

Kur Theres ndërroi jetë tetë vjet më parë, fermeri tani i ve, vazhdoi kapriçot e tij i vetëm dhe dilte për shëtitje në lagje. Nuk e ka problem shikimet që merr nga fqinjët e tij.

“Bea, a do dalësh sot?”, thërret dikush që po kalonte me makinë. Zimmermann e përshëndet dhe qesh, sepse për dy dekada ai ka dëgjuar të gjitha thirrjet.

Shumë në familje që nuk mund të pranonin hobin ekzotik u distancuan prej tij shumë kohë më parë. Sot Zimmermann nuk shqetësohet. “Nuk e kam problem nëse më quajnë Beatrisa, në fakt më pëlqen”. shpjegon ai.

Fermeri tani është pothuajse një figurë kulti, tashmë ka qenë në skenë dhe u paraqit në “Wohler Anzeiger”.

Zimmerman nuk ka një etiketë për veten. Thjesht bën atë që i pëlqen dhe nuk fshehët.

“Nuk më tërheqin burrat”, sqaron ai. “Kisha një martesë të lumtur dhe kam pesë fëmijë”.

Edhe sot, ai ka një shoqëruese grua me të cilën del kohë pas kohe për shëtitje dhe e pranon për atë që është.

“Është pak më e madhe në moshë por ia kalojmë mirë”, thotë fermeri me një buzëqeshje vesh më vesh. /Insajderi.com